Egjipt, Mubarak aksidentohet në burg

16/12/2012 10:15

Ish-Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, pësoi një dëmtim në kokë dhe hematoma në kraharor, pasi u rrëzua në tualetin e burgut ku po vuan dënimin e përjetshëm.

Njeriu që drejtoi “me grusht të hekurt” vendin më të madh të Afrikës së Veriut për 32 vjet, u rrëzua nga pushteti pas revoltave popullore, në shkurt 2011.

Në një gjykim të mëvonshëm, ai u shpall fajtor për urdhërimin e më shumë se 900 vrasjeve gjatë protestave dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

84-vjeçari Mubarak pësoi një goditje në zemër që e la në gjendje kome në qershor dhe që prej atëherë vazhdon të ketë një shëndet delikat.

Sipas Agjensisë Egjiptiane të Lajmeve “MENA”, dëmtimet e marra nga rrëzimi në tualet nuk janë problematike për jetën.

Lajmi mbi problemet e ish-liderit koinçidoi me referendumin për ndryshimet kushtetuese në vend, udhëhequr nga partia tashmë në pushtet e Vëllazërisë Muslimane, e cila konsiderohej antikushtetuese dhe ndalohej me ligj gjatë drejtimit të Mubarak.

Top Channel