
Në fillim të vitit të ardhshëm do të shfaqet në kinematë amerikane dhe
më pas në ato të Evropës filmi “One Shot”, që tregon historinë e një
hetuesi ushtarak.
Filmi është bazuar në librin me të njëjtin titull të shkrimtarit Lee Child dhe ka si protagonist kryesor personazhin Jack Reacher, që gëzon mijëra fansa në të gjithë botën.
Por, pavarësisht se nga disa fansa filmi po pritet me padurim, shumë të tjerë po e presin atë me skepticizëm për faktin se idhulli i tyre imagjinar interpretohet nga Tom Cruise.
Skepticizmi dhe irritimi qëndron në faktin se aktori i mirënjohur i Hollivudit, përveç ngjyrës së syve, nuk ka asgjë të përbashkët me personazhin e krijuar nga Child, që është i gjatë rreth 1 metër e 90 cm, ka flokë të verdhë dhe është një “i fortë” në kuptimin e plotë të fjalës.
Ndërkohë që Cruise ka një gjatësi tepër modeste, rreth 1 metër e 65 cm, dhe nuk ta mbush syrin për një tip të fortë, që “shqep në dru” kundërshtarët.
Që në fillesat e xhirimeve të filmit, fansat e Reacher ishin shprehur kundër interpretimit të tij nga Cruise, por aktori vazhdoi planin e tij pasi kishte marrë “bekimin” e shkrimtarit Child.
“One Shot” tregon historinë e një snajperi ushtarak që akuzohet për vrasje dhe që kërkon ndihmën e Reacher, një hetues ushtarak që nuk ndalet para asgjëje për të zbardhur të vërtetën.
Për Cruise, një aktor i supervlerësuar për performancat e tij, ky mund të konsiderohet një rol i gabuar, sikurse kanë qenë disa të tjerë në filmat e luajtur prej tij në vitet e fundit.
Top Channel