Izrael, Lieberman jep dorëheqjen

15/12/2012 01:30

Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman dha dorëheqjen, pas akuzave për “shpërdorim detyre”.

Ai ishte përfshirë në një skandal financiar, që daton 10 vjet më parë. Lieberman, që dha dorëheqjen edhe nga posti i zv/kryeministrit, tha se do të luftojë për të pastruar figurën e tij. Dorëheqja vjen pesë javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 22 janarit.

“Megjithëse e di që nuk kam kryer asnjë krim, vendosa të jap dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm dhe ai i zv/kryeministrit”.

Lieberman do të dorëzojë edhe imunitetin parlamentar. Ai synon ta zgjidhë cështjen përpara zgjedhjeve, për të qenë një kandidat, ashtu sic kishte planifikuar.

“Po e bëj këtë, sepse jam i bindur se shtetasit izraelitë duhet të shkojnë në zgjedhje, pasi kjo cështje të jetë zgjidhur. Mund të vazhdoj t’i shërbej shtetit të Izraelit dhe qytetarëve izraelitë, si pjesë e një udhëheqjeje të fortë dhe të bashkuar”.

Lieberman është udhëheqësi i “Yisrael Beitenu”, partia që renditet e dyta në koalicionin e kryesuar nga Likudi, e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Policia po heton akuzat për pastrim parash dhe rryshfet, por prokurorët kanë vendosur të ngrenë një akuzë më të lehtë për “shkelje të besimit”. Akuza më e rëndë është ajo për pastrim parash, të cilat i pastronte përmes disa kompanive dhe bankave.

Avigdor Lieberman është një prej politikanëve më agresivë të Izraelit. Ai konsiderohet nga mbështetësit si “mbrojtës me tone të forta të interesave të Izraelit”, ndërsa nga kundërshtarët si “një ekstremist anti-arab”.

Ai ka qenë një kritik i ashpër i Autoritetit Palestinez dhe udhëheqësit Mahmoud Abaz. Lieberman jeton në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor.

I lindur në Moldavi, ai është një prej miliona izraelitëve që emigruan nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ai e cilëson cështjen, si komplot të asaj kaste të vjetër izraelite, që nuk e kishte pranuar atë, të lindurin në ish-Bashkimin Sovjetik.

Lista e përbashkët e kandidateve të “Yisrael Beitenu” dhe “Likud” parashikohet të fitojë zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel