
PS nëpërmjet deputetit Taulant Balla nisi bërjen publike të asaj që e
quan transparencë të pasurive të zyrtarëve të lartë të qeverisë Berisha.
Serinë e denoncimeve PS e nisi me kryeministrin Sali Berisha.
“Ajo që bie menjëherë në sy është mungesa e seriozitetit nga ana e shtetasit Sali Ram Berisha në deklarimin zyrtar të pasurisë.Kështu, Sali Berisha deklaron një shumë 720 si përfitim nga dieta për udhëtimet jashtë vendit të Kryeministrit. Por mbetet mister nëse shuma prej 720 është në lekë, në Euro, dollarë apo ndonjë monedhë tjetër.Kryeministri i vendit, edhe pse Inspektorati i kërkon transparencë të plotë në deklarimin e pasurisë, nuk është korrekt edhe në gjënë më të thjeshtë, përfitimin e tij nga dietat shtetërore. Më tej akoma, totalit të përfitimeve dhe kursimeve prej 76 milionë lekësh, në këto kohë krize ekonomikë, papunësie dhe varfërie, Kryeministri i vendit i shton edhe plot 10 milionë lekë ‘cash’, të ardhura, me shkrim dore, pa asnjë sqarim të hollësishëm se si është siguruar kjo e ardhur”, tha Balla.
Ndërsa prej vitesh Qeveria bën thirrje për formalizimin e ekonomisë, – tha deputeti Balla, – Kryeministri paska një thes me para në shtëpi, të cilit nuk i dihet origjina, por vetëm vendndodhja.
“Ky është ndryshimi mes shqiptarëve të thjeshtë dhe bllokmenëve për të cilët flet Sali Berisha. Ky është ndryshimi mes 95% të shqiptarëve që vuajnë krizën dhe atyre shumë pak të tjerëve, pjesë e familjes biologjike dhe politike të Kryeministrit, që siç do të tregojmë ditë pas dite, pasurohen në kurriz të popullit”, theksoi Balla.
Sipas PS kjo transparencë synon për t’i treguar shqiptarëve, se cilat janë pasuritë e bllokmenëve të rinj të Shqipërisë.
Top Channel