Të ardhurat nga privatizimet

14/12/2012 23:05

Komisioni parlametar i ekonomisë miratoi, me shumicën e votave të demokratëve, disa ndryshime në projektbuxhet, të cilat kishin ardhur si propozime nga komisionet e tjera parlamentare.

Ajo që mori vëmendjen kryesore të diskutimeve ishte propozimi i Partisë Socialiste për një përcaktim në ligjin e buxhetit, sipas të cilit të ardhurat nga privatizimet përdoren me vendim qeverie për uljen e borxhit dhe investime publike.

Socialistët kërkuan që ndryshimet eventuale nga të ardhurat e privatizimeve t’i paraqiten Kuvendit të detajuara.

“Ne duam që të jemi pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm, që është një shumë e konsiderueshme parash, që hyjnë për shkak të privatizimit të një sektori strategjik, pronë publike e të gjithëve, të mund të vijë e skeduluar dhe ne të mund të vlerësojmë mënyrën se si këto para do të harxhohen, duke menduar profesionalisht, që problemet më të mëdha sot janë: niveli i borxhit, faturat e papaguara… si dhe rialokimin të fondeve”, tha Mimi Kodheli.

“Për mua më i rëndësishëm është standardi, i cili vazhdon që të ruhet. Të ardhurat e privatizimit përdoren vetëm për investime dhe për ulje të borxhit publik. Faturat nuk do të presin të ardhurat e privatizimit, sepse sipas standardeve buxhetore dhe kontabile, ato janë detyrime që paguhen para fillimit të punëve të reja. Pra projektet në vazhdim janë gjithmonë prioritet dhe këto fatura do të paguhen me të ardhurat normale buxhetore”, u shpreh Sherefedin Shehu.

Mazhoranca dhe opozita debatuan edhe nëse qeveria duhet apo jo të kërkojë më parë miratimin nga Kuvendi, për mënyrën se si do të përdoren të ardhurat nga privatizimet.

Të ardhurat nga privatizimet nuk janë përfshirë në projetkbuxhetin e vitit të ardhshëm, për sa kohë procesi i privatizimit të Albpetrolit nuk është mbyllur ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA