Selitë, protesta për energjinë

14/12/2012 17:55

Banorët e zonës së Selitës në kryeqytet kanë bllokuar të premten rrugën duke djegur goma në shenjë proteste për mungesën e energjisë elektrike.

Të revoltuar ata thonë se kompania e shpëndarjes së energjisë elektrike, CEZ, përfshirë institucionet e tjera, nuk i kanë dhënë zgjidhje kësaj situate.

Forcat e policisë i kanë bërë thirrje banorëve për të liruar qarkullimin në rrugë.

Deputetja Eglantina Gjermeni tha se kjo nuk është një protestë politike, pasi ky problem ka prekur të majtët e të djathtët, por është një çështje sociale e cila kërkon zgjidhje.

Një ditë më parë mungesa e energjisë elektrike nxorri në protestë banorët e Laprakës në Tiranë, të cilët prej dy ditësh ishin në errësirë të plotë.

Banorët bllokuan rrugën, ndërsa i vunë edhe flakën kazanëve të plehrave në shenjë proteste. Situata u bë kaotike pasi qindra automjete u bllokuan në trafik, ndërsa policia ndërhyri për të liruar rrugën.

Nga dita e mërkurë mijëra banorë në Tiranë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak se një kompani ndërtimi e kontraktuar nga bashkia e Tiranës për sistemimin e kanalizimeve ka prerë kabllot elektrikë në Laprakë.

Pa energji elektrike ishin edhe banorët në rrugën Babë Rexha, pallatet e Izraelit pranë fushës së aviacionit, zona pranë ish-shkollës së partisë, etj.

Kompania CEZ Shpërndarje njoftoi se këto zona do të vazhdojnë të mbeten pa energji elktrike për shkak se defekti është i rëndë.

Top Channel