PD, akuza Ramës për integrimin

14/12/2012 20:00

Partia Demokratike akuzoi sërish liderin e opozitës Edi rama për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat.

Deputetja Rajmonda Bulku tha se tik-taket e orës do të bien në 23 qershor. Sipas saj, kanë mbetur edhe 190 ditë që Rama të paguajë faturën e rëndë të bllokimit.

“Mbështetja e BE për Shqipërinë duhet të ishte materializuar me dhënien e statusit. Por kjo nuk ndodhi sepse Rama nuk lejoi deputetët e tij që të votonin 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli. Dështimi quhet Edi Rama”, deklaroi Bulku, e cila i rezervoi një apel direkt Ramës.

“Shqiptarët do të rrëzojnë Ramën dhe murin e bllokimit. Zoti Rama, koha po mbaron, më 23 qershor do paguani faturën më të rëndë për dëmin që u shkaktove shqiptarëve. Tik-tak, tik-tak”, u shpreh Bulku.

Një ditë më parë, kryeministri Berisha, duke folur për mediat pas samitit të Partive Popullore Evropiane të mbajtur në Bruksel, përsëriti akuzat ndaj opozitës për dështimin në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Duke vlerësuar raportin e hartuar nga Komisioni për Shqipërinë, Berisha ritheksoi se tre ligjet që kërkoheshin për marrjen e statusit u mbajtën peng nga kreu i opozitës.

“KE ka bërë një raport pozitiv për Shqipërinë. KE kushtëzoi rekomandimin përfundimtar me miratimin e tre ligjeve. Por këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kreu i opozitës”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, të cilat konsiderohen një test jetik për të ardhmen evropiane, shqiptarët do t’i japin opozitës përgjigjen e merituar.

“Shqiptarët kanë të gjithë fuqinë dhe potencialin për të shembur çdo mur. PD është e vendosur të vazhdojë projektin e saj “Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën””, tha Berisha.

Lideri i mazhorancës shqiptare shtoi më tej se, ka marrë garanci nga Partitë Popullore Evropiane për shqyrtimin e kësaj situate bllokimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA