Dikur mbretër të qiejve, mbi 9 mijë avionë dhe helikopterë të prodhimit rus prehen sot në “varrezën” më të madhe të aviacionit në botë.
Duke nisur nga helikopterët ushtarakë, e deri tek krenaria e Bashkimit Sovjetik, Tupolev TU-144, një avion supersonik që në vitet 1980 konkurronte me të famshmin “Concorde”, të gjithë këto mjete janë zhvendosur në muzeun më të madh të aviacionit në Rusi, në Uljanovskun e ndodhur në krahinën e Vollgës së Mesme, pothuajse një mijë kilometra në juglindje të Moskës.
Disa prej këtyre avionëve kanë një vjetërsi mbi 90-vjeçare dhe datojnë që në fillesat e aviacionit modern.
E veçanta është se të gjithë këta avionë, me përjashtim të vetëm një modeli, mbërritën në Uljanovsk duke fluturar në aeroportin qendror të qytetit, duke dhuruar një spektakël të veçantë me fluturimet e vazhdueshme gjatë të gjithë 2012-s.
Modelet e dikurshme sovjetike, “Tupolev”, “Antonov”, “Ilyushin”, “Sukhoi” dhe të tjerë, dominuan fluturimet në bllokun komunist për më shumë se gjysmë shekulli.
Megjithatë, ndonëse shumë modele mbeten në funksion në Rusi dhe kryesisht vendet fqinje, linjat ajrore zëvendësuan avionët e modelit rus me më të përparuarit “Boeing” e “Airbus”, duke bërë që shumica e industrisë aeronautike ruse të përqendrohet në qëllime ushtarake.
Top Channel