Krujë, furgoni përplas kalimtarin

14/12/2012 21:50

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e së premtes në afërsi të fshatit Arameras, në Krujë.

Sipas informacioneve të fundit, shtetasi Edmond Plepi ka humbur jetën pasi është përplasur dhunshëm nga një furgon në aksin Krujë-Tiranë.

Burime policore njoftojnë se drejtuesi i furgonit ka ndaluar dhe e ka transportuar të aksidentuarin në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Ndërkohë, vetë drejtuesi i furgonit, shtetasi Kujtim Vranja është vetëdorëzuar në komisariatin e Kamzës, njoftojnë më tej burimet pranë policisë rrugore.

Një aksident i ngjashëm ndodhi më herët gjatë ditës në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ku humbi jetën një shtetas 51-vjeçar.

Aksidenti u regjistrua në afërsi të fshatit Mengel, ku sërish një furgon me targa të Elbasanit përplasi për vdekje shtetasin Osman Shabani.

51-vjeçari u dërgua menjëherë për të marrë ndihmën e parë, por plagët e marra nga përplasja e fortë ishin fatale për të.

Burime të policisë së këtij qarku thanë se mjeti drejtohej nga shtetasi Xhevdet Shabani. Policia nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi aksidenti.

Top Channel