Itali, drogë nga Shqipëria, 9 në pranga

14/12/2012 17:20

Karabinierët e qytetit të Modenës, në Itali, ka shkatërruar një organizatë kriminale që importonte heroinë nga Shqipëria dhe më pas e shpërndante në qytete të ndryshme të veriut të vendit fqinj.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në pranga kanë përfunduar 9 persona, shumica e të cilëve shqiptarë, ndërsa janë sekuestruar 7 kg lëndë narkotike.

Sipas burimeve, nga hetimet ka rezultuar se droga fshihej në dysheme dopio të makinave dhe kamionëve që niseshin nga Shqipëria përmes trageteve.

Baza organizative e shpërndarjes, sipas burimeve, ishte një bar në një zonë periferike dhe korrierëve të drogës u ndërroheshin shpesh herë telefonat celularë për t’u shpëtuar përgjimeve.

Më herët gjatë muajit, dy operacione të anti-drogës në Itali, një në Ankona dhe tjetri në Aosta, çuan në prangosjen e dy korrierëve shqiptarë.

Në Aosta policia italiane sekuestroi 2 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë me vlerë 400 mijë euro. Në pranga përfundoi shtetasi Enver Meta, që sipas autoriteteve po udhëtonte me një makinë me targa greke.

Ndërkohë, në operacionin e zhvilluar në Ankona përfundoi në pranga 40-vjeçari Arian Mançe, që sipas antidrogës italiane u kap me 500 gramë kokainë me një vlerë prej 80 mijë eurosh në treg.

Sipas autoriteteve italiane, Mançe njihej për aktivitetet e tij të paligjshme dhe rezultonte me preçedentë të mëparshëm penalë.

Top Channel