Veprimtari Adem Demaçi ka kritikuar klasën politike kosovare, e cila sipas tij është përfshirë nga ethet për pushtet dhe po harron se cilat janë detyrat kryesore të saj.

Demaçi ka kritikuar në veçanti liderin e AAK-së Ramush Haradinaj, për ambicjet e shprehura prej tij për të marrë drejtimin e qeverisë së Kosovës.

“Ramushi më pëlqeu në fillim, por një ditë ai tha se do që të bëhet kryeministër. Këtu nuk më pëlqeu. Nuk më pëlqeu sepse për këtë janë zgjedhjet, janë marrëveshjet dhe rrugë të tjera. Është posti i zëvendëskryeministrit, për të cilin nuk besoj se do të kishte probleme”, ka thënë Demaçi.

Veprimtari i njohur ka kërkuar depolitizimin e shtetit kosovar nga klasa aktuale, ndërsa nga deputetët ka kërkuar që të mos kopjojnë shembujt negativë të vendeve të rajonit dhe botës.

“Nëse ata dëshirojnë të grinden dhe të shahen, ka kafene dhe livadhe sa të duash. Por kur të hyjnë në Kuvend ata duhet të dalin si burra shembullorë, sepse rinia jonë duhet të edukohet nga dikush”, ka thënë ai.

Demaçi ka folur edhe për presidenten Jahjaga, duke mbrojtur qëndrimin e saj në Presidencë, por nga ana tjetër duke e kritikuar për homazhet që ajo i bëri Ahmet Zogut në Tiranë.

“Presidentja duhet ta dijë se Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e serbëve dhe rusëve, ndërsa iku në kohën më të keqe dhe i la shqiptarët në mëshirën e fashistëve italianë”, ka thënë Demaçi.

Ai është shprehur gjithashtu kundër kërkesave të Ankarasë zyrtare për të ndryshuar historinë, duke theksuar se askush nuk duhet t’i heqë një presje epokës së Perandorisë Otomane.

Top Channel