Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian të datës 11 dhjetor, për proçesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe vendet e tjera aspirante, u mirëpritën dhe u miratuan sot formalisht vetëm në tekstin e konkluzioneve të Samitit Evropian.
Kjo temë nuk u debatua nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, të cilët gjatë takimit dyditor në Bruksel biseduan për politikat ekonomike, ato të mbrojtjes dhe për situatën në Siri.
Në momentin e miratimit formal, teksti i konkluzioneve përbën dokumentin bazë të cilit do t’i referohet Bashkimi Evropian në qëndrimet e ardhshme në mardhëniet me Shqipërinë.
Një ditë më parë ishte Parlamenti Europian që votoi në seancë plenare rezolutën për Shqipërinë, ku bëhet thirrje për dhënien sa më të shpejt të statusit kandidat, nëse plotësohen 3 kushtet.
Në rezolutë ndër të tjera PE thekson rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër krimit e korrupsionit dhe depolitizimit të administratës publike.
Zgjedhjet e vitit të ardhshëm konsiderohen si një test pjekurie për demokracinë e vendit. Rezolutat e Parlamentit Europian janë këshillimore dhe nuk kanë fuqi vendimmarrëse për zgjerimin e BE-së.
Gjatë debatit për rezolutën të zhvilluar në Strasburg, komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle mirëpriti raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Megjithë reformat e mundësuara nga një klimë e re pas marrëveshjes politike të vitit 2011, Fyle përsëriti keqardhjen për mosplotësimin e kushteve të përcaktuara nga Komisioni.
Top Channel