Një këndvështrim i përgjithshëm mbi lojërat e fatit dhe planin për t’i zhvendosur nga zonat më të banuara të Tiranës drejt periferisë.
Të ftuar në panelin e emisionit Top Show, të Alban Dudushit kanë qenë:
Gjergj Filipi, Instituti Agenda. Jorida Tabaku, Nënkryetare e Bashkisë Tiranë. Blerta Bodinaku, Psikologe, psikanaliste. Ilir Kalemaj, Publicist, Politolog. Ledio Lako, Aktor i Portokallisë dhe Erion Curraj, Kërkues për Inovacion.
Sipas Gjergj Filipit, janë dy momente në këtë vorbull mendimi. Së pari, në krizë nuk mund të rriten shpenzimet, sepse bien të ardhurat, dhe së dyti, nga lojërat e fatit nuk mund të dalësh kurrë i fituar.
Një shoqëri, që nuk e ka të rregulluar borxhin, e sheh futjen në kazino, si një zgjidhje për larjen e borxhit. Ka bastexhinj, që i shohin bastet si kënaqësi thjesht për kalimin e kohës, por ka edhe nga ata, që duan të zgjidhin problemet e përditshme financiare, duke u futur në këto ambjente, nga të cilat zor se dalin me përfitime, për të mos thënë kurrë.
Megjithatë, lojërat e fatit nuk janë një zgjidhje për të gjeneruar të ardhura. Në fund të ditës, nga lojërat e fatit fitojnë vetëm organizatorët dhe pikat, ku luhen këto lojëra, nga të cilat përmendim si shembull përqindjen prej 7% apo 8% të pikës së bastit nga skedinat, apo 4% nga bastet teke.
Jorida Tabaku, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, pranon stimulimin e lojërave të fatit në momente krize financiare.
Sipas saj, arsyeja kryesore është aksesi i lirë për të gjithë individët ndaj, edhe ata persona që nuk kanë ndërmend të bëhen pjesë e këtyre lojërave, përfshihen nga kjo vorbull.
Sipas Tabakut, duhet shtuar kontrolli ndaj pikave të basteve apo lojërave të tjera të fatit, për të mos lejuar këdo të futet në to. Gjithsesi, ka edhe nga ata persona, që janë “të sëmurë” dhe nuk mund ta imagjinojnë kalimin e ditës, pa u bërë pjesë e kësaj vorbulle.
Bashkia ka vendosur një rregull të ri, për të kufizuar ushtrimin e lojërave të fatit dhe për t’i zhvendosur ato në Ish-Uzinën e Autotraktorëve, pasi ka marrë shumë ankesa nga prindër të ndryshëm, për fëmijët e tyre të moshave relativisht të reja, të cilët nuk kanë ndonjë pengesë për t’u futur në këto dyqane.
Këtu përfshihen subjekte të ndryshme të kazinove elektronike, bingove dhe basteve sportive. Në këtë projekt, nuk mund të ndalet shërbimi i ofruar nga këto kompani, ai i lojërave të fatit, por kërkohet që minimalisht qyteti të qëndrojë larg këtyre ambjenteve.
“Kemi marrë në konsideratë metoda të ndryshme për ta bërë këtë gjë, duke menduar edhe taksimin e këtyre bizneseve, që përveç kazinove, të cilat paguajnë edhe 1,5% të xhiros vjetore, bastet sportive apo bingot taksohen normalisht, si çdo biznes tjetër”, tha Tabaku.
Tatimi që është prezantuar për largimin e tyre nga zonat e qendrës së Tiranës, për në periferi, është bazuar mbi metrat katrorë të sipërfaqes, ku ofrohen këto lloj lojërash, sipas të cilit do të tatohen deri në një muaj të caktuar, deri kur ata të largohen për në vendin e caktuar prej Bashkisë së Tiranës.
10 000 lek për qendrën e Tiranës dhe brenda unazës, taksa. 7000 lek dhe 5000 lek për metër katrorë shkojnë tarifat për bizneset në periferi. Nëse nuk pranojnë të lëvizin deri në afatin e paracaktuar, këto biznese do të tatohen me 10-fishin e tarifave fillestare të tatimit.
Të ardhurat prej tyre do të shkojnë për krijimin e qendrave sociale. Besohet se me këtë detyrim, do të arrihet shpërngulja e bizneseve, duke zhbërë efektet negative të shfaqura prej këtij realiteti.
Blerta Bodinaku nuk ndihet e sigurt për zbatimin e këtij plani, pasi mendon se duhet bërë e detyrueshme kalimi i këtyre bizneseve në vendin e caktuar nga Bashkia, pasi paraprakisht e sheh si më tërheqëse faktin që, kompanitë e basteve apo bingot e kazinotë mund të pranojnë të qëndrojnë në vendet aktuale dhe të paguajnë 10-fishin e taksës apo tatimit, sesa të largohen në vendin e caktuar, pasi aty mund t’u bjerë fitimi.
Ledio Lako ngre instiktivisht një pyetje: Në paketat e duhanit thuhet për shembull se “pirja e cigares vret”, apo “duhanpirja shkakton kancer”, etj. Por, a lexohen të tilla paralajmërime në ambjentet e këtyre lojërave të fatit?
Realisht propaganda “negative” nëpër paketat e duhanit, që përcaktohen me norma dhe ligje ndërkombëtare, është miratuar, ndërsa një propagandë e ngjashme për të ndalur veçanërisht adoleshentët nën 18 vjeç nga pjesëmarrja në këto lojëra fati, zor se kemi hasur. Vërtet vihen lajmërime nëpër dyqanet e basteve sportive, por nga sa vihet re, asnjë prej pikave të basteve nuk e zbaton këtë lloj rregulli, pasi shpesh shihen adoleshentë, të papërgjegjshëm për mjetet financiare të zotëruara nga ata por të dhëna prej prindërve të tyre, që luajnë me qëllim fitimin dhe sigurisht, dalin të humbur.
Lojërat e fatit, sipas Ilir Kalemajt, duhen të ndahen në impulsive dhe jo impulsive. Me këtë ka parasysh që, bingot apo kazinotë mund të konsiderohen si impulsive, pasi në to mund të luhet dhe brenda një afati kohor shumë të shkurtër mësohet edhe rezultati, ndërsa bastet sportive mund të konsiderohen si jo impulsive, pasi mund të vendosësh një skedinë në mëngjes dhe të presësh deri në darkë rezultatin, apo ndonjëherë edhe ditën e nesërme. Sipas këtij këndvështrimi, presupozohet që vendim për largimin nga ambjenti publik të largohen lojërat e rrezikshmërisë së lartë, pra ato impulsive, edhe pse ndonjëherë edhe bastet sportive degjenerojnë në po këtë nivel, nëse do të luhet me shuma të mëdha parash.
Top Channel