Më shumë se tre muaj përpara se t’i përfundojë mandati si kryetare e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, njëkohësisht kryetare e konferencës gjyqësore kombëtare, ka ekspozuar të gjitha problemet e drejtësisë në vend, duke i bërë një skaner me tone të ashpra drejtësisë shqiptare.
Duke bërë thirrje për miratimin sa më të shpejtë të ligjit për Gjykatën e Lartë, zonja Becaj e konsideroi situatën alarmante.
“Në radhë të parë, janë në interes të drejtpërdrejtë të popullit shqiptar, i cili pret me padurim që Drejtësia të funksionojë siç duhet, që vendimet të jenë të drejta, që proceset gjyqësore të jenë transparente e të mos zvarriten në vite. Veçanërisht vonesa në miratimin e ligjit të ri për Gjykatën e Lartë, bëhet pengesë edhe për fillimin e zbatimit të ligjit për Gjykatat Administrative, si dhe për funksionimin e përshtatshëm të vetë Gjykatës së Lartë, ngarkesa me çështje e së cilës është rritur jashtë mase”, tha Shpresa Becaj, kryetare e Gjykatës së lartë.
Sipas kryetares së Gjykatës së Lartë, probleme hasen në zvarritjen e proceseve, e po ashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të organizojë më mirë procesin e emërimeve, transferimeve dhe promovimeve të gjyqtarëve, për të shmangur praktikat subjektive dhe kilenteliste, por edhe konfliktet e interesit.
Kreu i Gjykatës së Lartë u ndal edhe te procedimet disiplinore të gjyqtarëve, shumica e të cilave, sipas saj, janë anuluar nga kolegjet e bashkuara apo Gjykata Kushtetuese. Në këtë pikë, zonja Becaj ngriti pyetjet se, përse procedimet disipilonore janë kompetencë vetëm e ministrit…?
“Gjyqtarët nuk mund të procedohen disiplinarisht për vendimet e tyre, kur ato nuk pëlqehen nga faktorët politikë, madje edhe nga opinini publik, në rrethana të caktuara. Gjyqtarët mund të procedohen për dhënien e vendimeve, vetëm në rastet kur vendimet e tyre janë prishur nga gjykatat më të larta, për shkelje të rënda të ligjit. Edhe pse në vendin tonë është çmuar, që ministrit të vazhdojë t’i lihet kjo kompetencë, megjithëse në Itali e në ndonjë vend tjetër ka mbetur kompetencë, që gati nuk zbatohet më, prapë së prapë nuk do të ishte me vend, që kjo kompetencë t’i përkiste ekskluzivisht vetëm ministrit”.
“Shtrohet pyetja: Pse të mos e ketë këtë të drejtë edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe çdo prokuror tjetër, që ka ndjekur një çështje penale ndaj një gjyqtari, e cila në përfundim të hetimit është pushuar apo ka përfunduar me pafajësi, gjersa dihet që mungesa e përgjegjësisë penale nuk përjashton automatikisht edhe përgjegjësinë disiplinore?”.
Duke iu referuar raport-progresit, kreu i Gjykatës së Lartë shtroi si problem të pazgjidhur edhe mbivendosjen e dy inspektoriateve, sic është ai i KLD-së dhe Ministrisë, duke e konsideruar si shkelje të standarteve.
“Më tepër se mbivendosje, unë do ta quaja shkelje të standardeve për gjyqësorin, sepse me këtë formë organizimi, gjyqësori është vendosur nën kontrollin e ekzekutivit, të përfaqësuar nga Ministri i Drejtësisë. Për mendimin tim, situata e mbivendosjes së inspektoriateve, apo dualiteti i tyre, si dhe kompetenca e nisjes ose jo të procedimit disiplinor të gjyqtarëve, e lënë ekskluzivisht në çmimin e ministrit të Drejtësisë, kërkon zgjidhje imediate”.
Problematikat në gjyqësor, sipas kryetares së Gjykatës së Lartë
1. Është pakësuar buxheti në gjyqësor
2. Proceset zvarriten pa fund
3. Ligji i Gjykatës së Lartë
4. Mbivendosja e dy inspektoriateve
5. Procedimi disiplinor i gjyqtarëve
6. Promovimi dhe transferimet e gjyqtarëve
7. Forcat politike të miratojnë ligjet për refromën në drejtësi
8. Ngarkesa dosjesh në Gjykatën e Lartë
9. Gjyqësori të luftojë për t’u pastruar nga pakica e korruptuar
10. Për të investuar KLD për nisje procedimi, procedim disiplinor të gjyqtarit ta ketë edhe qytetari.
Deklaratat u dhanë gjatë ditës së parë të konferencës gjyqësore, ku do të zgjidhen dy anëtaret e rinj të KLD, për të cilën po garojnë gjyqtarët Agron Papajani, Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Dhimiter Lara, Lefter Jahaj, Sokol Biojan dhe Zegjine Sollaku.
Top Channel