Virozat janë organizma patogjene që sulmojnë për një periudhë të shkurtër organizmin tonë. Ato janë të formave të ndryshme dhe nga stina në stinë këto lloj virusesh, përfshi dhe gripin, pësojnë mutacione gjenetike, çka tjetërson edhe formën e tyre të shfaqjes dhe pasojat shëndetësore.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve, në shumicën e rasteve depërtimi dhe aktivizimi i tyre në organizëm është i aftë të shaktojë infeksione. Më të shpeshtat janë virozat e traktit respirator që shkaktojnë infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si hundë, fyt, bronke deri dhe prekjen e mushkërive.
Si dhe viroza që prekin sistemin gastroenterit, që kanë të bëjnë me çrregullimin e aparatit tretës. Dy ditë pasi trupi ynë sulmohet nga një virus i ashtuquajtur stinor, shfaqen simptoma të tilla si: temperaturë, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, marrje mendsh, kollë, sekrecione, dhimbje veshësh, të vjella, diarre dhe në pjesën më të madhe të rasteve edhe humbje të oreksit.
Sulmojnë shpesh dhe thuajse çdo vit bëhemi viktima të këtyre virozave që në shumicën e rasteve shkojnë pa komplikacione dhe pasoja. Por, në rastet kur organizmi shfaq predispozita të tjera, një virozë e thjeshtë apo një grip mund të jetë edhe fatal për disa kategori pacientësh.
Më të rrezikuar janë pacientët kronikë, si astmatikët, kardiakët, tek të cilët prania e një viroze mund të shkaktojë komplikacione të tilla që arrijnë deri në marrjen e jetës.
Virozat e dimrit
Stina e dimrit është periudha kur shfaqja e virozave dhe gripit janë më të shpeshta. Ato na vijnë rrotull të gjithëve sepse i ftohti na bën më të predispozuar për tu sëmurur. Jo vetëm për shkak të temperaturave të ulta, por edhe të mungesës së rrezeve të diellit. Faktorë këto që dobësojnë sistemin imunitar duke ulur rezistencën.
Kur ftohet moti ne pretendojmë se me ndryshimin e mënyrës së të veshurit mund tu bëjmë pritë viruseve, por është e pamundur të mbrojmë temperaturën brenda hundës. Ajo thahet kur moti ftohet dhe kështu viruset nisin të riprodhohen me shpejtësi.
Një person i rritur zakonisht mund të marrë 2 deri 5 viruse në vit. Ndërsa fëmijët, veçanërisht ata që frekuentojnë mjedise komunitare mund të sëmuren nga gjendje të ndryshme gripale edhe 10 herë brenda vitit. Kjo ndodh sepse të vegjëlit kanë një sistem imunitar të dobët.
Ekzistojnë rreth 200 viruse që shkaktojnë të ftohtë. Kur mendoni se po ia hidhni gripit një tjetër virozë mund t‘ju godasë sakaq. Antitrupat që zhvillon organizmi kundër të ftohtit të parë nuk mund të të mbrojnë nga një virus i një lloji tjetër. E duke qenë edhe imuniteti i dobësuar, predispozita për tu sëmurur sërish është më e madhe. Ndërsa viruset janë të llojeve të ndryshme, simptomat i kanë thuajse të njëjta dhe ne shpesh kujtojmë se na është rikthyer virusi që sapo kaluam, kur në fakt jemi prekur nga një virus tjetër.
Por, edhe pse kaq shumë të kërcënuar nga virozat, nuk ka një preparat mjekësor specific për trajtimin e tyre. Ajo çfarë dihet me siguri është se në të tilla raste rekomandohet përdorimi i vitaminës C dhe lëngjeve, pasi ato rrisin rezistencën e organizmit. Mjekët ndalojnë kategorikisht përdorimin e antibiotikëve në këto raste, pasi shpesh ndodh që pacientë t’i marrin pa rekomandimin e mjekut.
Fëmijët dhe virozat
Teksa afrohet dimri, shqetësimi më i madh që ndajnë shumë prindër janë virozat që mund tu sillen rrotull fëmijëve. Dhe jo pa të drejtë, pasi kjo është edhe kategoria më e madhe e popullsisë ekspozuar ndaj viruseve stinorë.
“Gjatë sezonit të dimrit, problemi më i madh që shfaqet tek fëmijët është infeksioni i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Këto shkaktohen në shumicën e rasteve nga viruset që janë në qarkullim”, thekson Prof.Dr. Musa Caglar.
Cfarë mjeku thekson është specifika e trajtimit të pacientit sipas rastit. Profesor Caglar thotë se duhet shmangur sa më shumë përdorimi i preparateve, veçanërisht antibiotikut. “Në këtë situatë duhet të trajtohemi me disa metoda simptomatike. Për shembull, nëse virusi i shkakton fëmijës temperaturë, ne duhet të luftojmë temperaturën.”
Nëse temperatura e fëmijës ka arritur 38 ose 38.5 gradë Celsius , duhet t’i hiqen të gjitha rrobat në mënyrë që trupi i nxehtë ta çlirojë energjinë duke qenë në kontakt direkt me ajrin.
Kur temperatura i kalon 39 gradë, sipas mjekut duhet që fëmija të futet në dush me ujë të vakët për rreth 30 minuta.
Top Channel