Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka raportuar të mërkurën në Parlament lidhur me takimin e fundit mes tij dhe homologut serb Ivica Daçiç, duke e vënë theksin tek marrëveshjet e arritura dhe zbatimi i tyre.

Sipas “RTK”, Thaçi ka folur për marrëveshjen për kufijtë, duke deklaruar se përmes zbatimit të saj po përcaktohet përfundimisht vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila në praktikë përcakton dhe sovranitetin e Kosovës.

“Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila përfundimisht përkufizon në praktikë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe normalizon punën e të gjitha shërbimeve që bëhen në pikat kufitare me Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi është shprehur se, tashmë rezultatet e kësaj marrëveshjeje janë të dukshme, sidomos në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut ku ajo ka nisur të zbatohet, ndërkohë që tek Dheu i Bardhë do të nisë në fund të vitit.

Thaçi ka raportuar gjithashtu për çështje të tjera të trajtuara në takimin e tretë me Daçiç, duke e vënë theksin tek hapja e zyrave ndërlidhëse, trashëgimia kulturore e fetare, si dhe tek transparenca e financimit të serbëve të Kosovës nga ana e Beogradit.

Nga ana e opozitës ka pasur reagime të ndryshme. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka deklaruar se informatat e kryeministrit nuk janë të mjaftueshme për faktin se, sipas tij, mosprezantimi i marrëveshjeve në mënyrë të shkruar lë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Ndërsa Afrim Kasolli nga lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kosova në këtë dialog ndodhet në një rrugë pa krye dhe se mënyrat e raportimit të kryeministrit për këto takime janë më tepër një plotësim formal i detyrimeve të tij.

Ndërkohë, Ardian Gjini nga AAK ka vlerësuar se qeveria duhet të insistojë në implementimin e të gjitha marrëveshjeve, pasi mosimplementimi i tyre mund të ketë pasoja shumë të rënda.

Top Channel