Siri, sulmohet Ministria e Brendshme

12/12/2012 19:10

Ndërtesa e Ministrisë së Brendshme Siriane në Damask u shënjestrua nga tre shpërthime pasditen e së mërkurës, raportoi televizioni shtetëror.

Të paktën një prej shpërthimeve u shkaktuan nga një autobombë, ndërsa mësohet se një numër i papërcaktuar personash humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Luftimet në Damask janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, me forcat kryengritëse që kanë rrethuar kryeqytetin dhe vazhdojnë përballjen e tyre guerrile me ushtrinë e rregullt.

Shpërthimet pranë Ministrisë së Brendshme, në zemër të kryeqytetit, u vlerësuan nga mediat si një goditje në zemër për regjimin e Bashar al-Assad.

Këto ndodhi të fundit në Siri përkuan me njohjen e kryengritësve si qeveri e ligjshme e Sirisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një njohje që mund të rezultojë vendimtare për fatet e luftës civile.

Aktualisht, mbi 100 vende kanë njohur rebelët, por regjimi i Al-Assad mbështetet nga Rusia dhe Kina, që kanë rrëzuar sanksionet e propozuara ndaj vendit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Top Channel