Kryeministri grek Andonis Samaras ka deklaruar se lëshimi i këstit të ri të ndihmave do të shënojë një “ditë të re” për Greqinë.

“Problemi i parë që do të zgjidhet është mungesa e likuiditetit falë rikapitalizimit të bankave. Më pas kësti do të na ndihmojë të paguajmë 9.3 miliardë që shteti i detyrohet sektorit privat dhe popullit”, ka deklaruar Samaras.

Më pas, ka shtuar kreu i qeverisë helene, do të marrë fund edhe “dhrahmofobia”, siç njihet ndryshe frika e kthimit tek valuta e dikurshme greke, dhrahmia.

Ndërkohë, kryetari i partisë socialiste greke, Evangelos Venizelos ka deklaruar se, në Bashkimin Evropian po zhvillohet një luftë e ftohtë financiare.

Sipas tij, lufta në fjalë po bëhet mes vendeve me vlerësimin “AAA” nga agjencitë e kreditimit dhe atyre në jug të Evropës.

“Në këtë fazë historike ka një distancë të madhe mes këtyre grupeve. Duhet të përfitojmë nga rasti për të nxjerrë mësim, për të ardhmen e vetë Evropës”, ka thënë Venizelos.

Pak ditë më parë, për herë të dytë brenda një viti, agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s” e zhvlerësoi Greqinë në nivelin më të ulët për sa u përket bonove të thesarit, ose siç thuhet në gjuhën e financave, në statusin e “falimentit të përzgjedhur”.

Top Channel