Prokuroria: 24 vjet burg për Xhakjan

12/12/2012 18:40

Të paktën 24 vite burg ka kërkuar prokuroria në Apel për shtetasin Ilir Xhakja, ndërsa e ka vlerësuar subjektiv dhe të njëanshëm vendimin mbi pafajësinë që iu dha vrasësit të kryekomisarit Adem Tahiraj për krimin e kryer në verën e vitit 1998.

Apelimi i pafajësisë së dhënë nga trupa e kryesuar nga gjyqtari i shkarkuar Neritan Tabaku ka hyrë në fazën e gjykimit të çështjes për të katërtën herë, pas dy vendimeve të dhëna nga gjykatat e Krimeve të Rënda dhe të prishura nga Gjykata e Lartë, e cila ia ktheu gjykatës së Durrësit për kompetencë territoriale çështjen.

Gjykimi i treshes së gjyqtarëve të Durrësit i dha pafajësi Xhakjes, duke hedhur poshtë provat e akuzës dhe mbështetur në një dokument që pranonte se i pandehuri kishte qenë në Gjermani ditën e krimit.

Pas vrasjes së kryekomisarit të Shijakut nga “i pafajshmi” Xhakja, vendimi dhe moszbardhja e tij nga gjyqtari Tabaku shkaktuan reagimin e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë mbi çështjen, duke i hapur rrugë zbardhjes së vonuar të vendimit dhe nisjes së proçesit gjyqësor në Apelin e Durrësit.

Prokurori Vangjel Tanellari ka kërkuar sot rrëzimin e vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, duke çmuar se ka prova të mjaftueshme shkencore dhe dëshmitarë që provojnë akuzën për Xhakjen dhe kërkoi 24 vjet heqje lirie për të. Ndërsa avokati mbrojtës Ilia Ilia, nga ana e tij, kërkoi pafajësinë përmes lënies në fuqi të vendimit të dhënë nga gjykata e Durrësit.

Kontraditat në aktin e ekspertimit, si dhe mospërputhja e provave të mbledhura në vendngjarje, apo edhe mungesa e shenjave të gishtave në armët me të cilën është kryer vrasja, sipas mbrojtjes e bëjnë shtetasin Xhakja, tashmë të arrestuar për vrasjen e Tahirajt, të pafajshëm për vrasjen e Qerim Malokut në Sukth. Gjykata kërkoi kohë për shqyrtimin e pretendimeve dhe marrjen e vendimit.

Top Channel