Kriza Egjipt, Kajro mes “zjarreve”

12/12/2012 00:40

Në prag të referendumit për projekt/Kushtetutën e Egjiptit, mijëra protestues, përkrahës dhe kundërshtarë të presidentit Mohamed Morsi, dolën mbrëmjen e së martës në rrugët e Kajros.

Përfaqësues të opozitës mundën të çajnë gardhin e qindra ushtarëve, që mbrojnë pallatin presidencial në kryeqytetin e Egjiptit, por nuk u raportua për incidente dhune.

Presidenti Mohamed Morsi i ka kërkuar ushtrisë të ruajë sigurinë në vend. Katër protesta të ndara u zhvilluan nga përfaqësuesit e opozitës, ndërsa islamikët, përkrahësit e presidentit Morsi, u mblodhën përreth sheshit Tahrir.

Protesta u planifikuan në qytetet Aleksandri dhe Asiut. Të paktën 10 persona u plagosën orët e para të së martës, kur u qëllua ndaj protestuesve, të cilët kanë ngritur kampe në sheshin Tahrir.

Protestuesit kërkojnë anulimin e referendumit, me argumentin se Kushtetuta është hartuar nga Asambleja e dominuar nga islamikët, nuk respekton të drejtat e njeriut dhe nuk garanton të drejtat e grave.

Presidenti Mohamed Morsi është përpjekur të qetësojë indinjatën publike, duke anuluar dekretin e miratuar më 22 nëntor, që zgjeronte kufijtë e pushtetit, por nga ana tjetër i dha më shumë kompetenca ushtrisë për të arrestuar civilët, në ditët e ardhshme.

Si pasojë e trazirave politike, Egjipti do t’i kërkojë FMN-së të shtyjë huanë, pasi presidenti pezulloi programin e rritjes së taksave. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se është i gatshëm të mbështesë vendin gjatë tranzicionit, si dhe të konsultohet me autoritetet në rinisjen e diskutimeve për borxhet.

Ekonomia e Egjiptit është goditur rëndë përgjatë dy viteve, prej kohës kur nisën protestat që rrëzuan ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak në shkurt të vitit 2011.

Top Channel