
Drafti i ligjit për zgjedhjet në Kosovë prej muajsh është në sirtarët e Komisionit Parlamentar për Reformë Zgjedhore, në pritje të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet liderëve të partive parlamentare në Kosovë.
Liderët u takuan të hënën pasdite, por pas dy orësh ata nuk arritën të binin dakord për 4 çështje thelbësore të reformës zgjedhore.
Sa do të jetë pragu zgjedhor, si do të jenë listat e kandidatëve për deputetë (të hapura apo të mbyllura), në sa zona zgjedhore do të ndahet Kosova dhe si do të vendoset për përbërjen e KQZ-së, janë çështjet për të cilat partitë kanë qëndrime të ndryshme.
Por, në mënyrë që këto dakordime të bëhen pjesë e ligjit, Komisioni Parlamentar për Reformë Zgjedhore, duhet të marrë një mandat shtesë nga Kuvendi, pasi në shtator të këtij viti mandati i tij është përmbyllur.
“Në momentin që ata bien dakord, e përcjellin atë vullnet politik te përfaqësuesit e tyre në komisione dhe atëherë puna jonë do të jetë kthimi në norma apo t’i shndërrojmë në rregulla, sipas vullnetit politik, që t’i fusim në kuadër të draftit aktual të ligjit për zgjedhjet nacionale”, u shpreh Behar Selimi, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformë Zgjedhore.
Sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Behar Selimi, një mandat i tillë do të nënkuptonte 2 apo 3 muaj të tjerë punë.
“Neve na duhet një mandat shtesë, në aspektin formal juridik dhe të vullnetit politik. Një mandat shtesë do të nënkuptonte eventualisht 2-3 muaj punë. Unë mendoj, nëse shkojmë me logjikën e përkushtimit operativ në këto çështje, mund të jetë edhe një çështje e muajit, që ato dakordime politike të shndërrohen në rregulla. Pra, pa mandat shtesë ne nuk mund të vazhdojmë punën” shtoi ai.
Sidoqoftë, gjatë verës, Lidhja Demokratike e Kosovës e pati braktisur Komisionin Parlamentar për Reformë Zgjedhore me arsyetimin se marrëveshja politike Thaçi-Mustafa-Pacolli, që parashikon zgjedhje presidenciale 6 muaj pas përfundimit të reformës kushtetuese, nuk po respektohet.
Por, sipas liderit të LDK-së, Isa Mustafa, kjo parti do ta trajtojë reformën zgjedhore veçmas nga reforma kushtetuese.
LDK-ja ngul këmbë se ndryshimet kushtetuese do t’i votojnë në Kuvend, vetëm nëse Presidentja garanton që në afatin prej 6 muajsh do të hapë mundësi për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale.
Top Channel