Gjenerali serbo-boshnjak Zdravko Tolimir është dënuar me burgim të përjetshëm në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Tolimir është shpallur fajtor për një seri akuzash të rënda, mes të cilave spikasin ato për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Tolimir, ish-drejtues i shërbimeve sekrete, ka qenë një ndër protagonistët kryesorë në masakrën e Srebrenicës.

Gjithashtu, gjenerali, i arrestuar dhe i transferuar në Hagë në vitin 2007, është shpallur fajtor edhe për dëbime me forcë të myslimanëve të Bosnjes në vitin 1995.

Rreth një javë më parë, gjykata e Hagës konfirmoi dënimet ndaj dy komandantëve serbë në Bosnje, pas vendimit përfundimtar të dhënë në apel.

Kushërinjtë Milan dhe Sredoje Lukiç kundërshtuan dënimin me burgim të përjetshëm dhe 30 vjet heqje lirie, përkatësisht, për krimet e kryera kundër popullsisë muslimane boshnjake.

Pas rishikimit të çështjes, Haga rikonfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe reduktoi me tre vjet, në 27 vjet heqje lirie në total, masën për drejtuesin e dytë të grupit paraushtarak serb, “Shqiponjat e Bardha”.

Vendimet për të dënuar ish-udhëheqësit paraushtarakë serbë, pasi në javët e fundit u lirua heroi i UÇK-së Ramush Haradinaj dhe dy udhëheqës kroatë të luftës, Ante Gotovina e Mladen Markaç, pritet të ngjallë irritim të mëtejshëm në Beograd, ku Haga është akuzuar për shënjestrimin selektiv të të akuzuarve serbë.

Top Channel