Fier, sulmohet për vdekje 49-vjeçarja

12/12/2012 21:55

Opinioni i gjerë po vijon të tronditet nga ngjarjet e rënda të vrasjes dhe dhunimit të grave, të cilat po pasojnë njëra-tjetrën këto ditët e fundit. Në qytetin e Fierit një tjetër grua u godit me thikë mbrëmjen e së mërkurës dhe për pasojë humbi jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19.30 në afërsi të një lokali, në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Shtetësja Ahsinja Krytha ka qënë duke ecur në një nga rrugicat e lagjes për të shkuar në banesën e saj, që ndodhet në një pallat përballë Rrethrrotullimit, kur është sulmuar nga persona ende të paidentifikuar.

Ajo ka marrë plagë të rënda, ndërsa ka rënë pa ndjenja pranë një porte banese trekatëshe në brendësi të lagjes.  Autori është larguar duke përfituar dhe nga errësira.

49-vjeçarja është gjendur nga banorë të kësaj lagjeje të cilët kanë lajmëruar policinë dhe repartin e urgjencës në spitalin e Fierit. Gruaja është transportuar për në repartin e kirurgjisë në spital, ku edhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, ndërsa grupi i ekspertëve ka nisur hetimin dhe grumbullimin e provave në vendngjarje. Ende policia nuk ka dhënë shkaqe dhe detaje lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Ndërsa burime të pakonfirmuara pohuan se gruaja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë. Policia nga ana e saj ka ngritur postobloqe në rrugë në të gjitha kryqëzimet e qytetit Fier, ndërsa po heton  në shumë pista për të zbuluar autorin e kësaj vrasjeje.

Ky është një tjetër rast i rëndë i dhunës ndaj grave që regjistrohet në ditët e fundit. Më herët një grua shtatzënë në muajin e gjashtë u shtrua në gjendje të rëndë në spital pasi u keqtrajtua nga bashkëshorti

Ndërsa të martën një 34-vjeçare shtatzënë, nënë e dy fëmijëve, u gjet e masakruar me mjete të forta në banesën e saj në qytetin e Orikumit.

Top Channel