Clinton: Nuk do kandidoj për presidente

12/12/2012 21:45

“Nuk besoj se do ta bëj sërish”. Me këto fjalë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka mohuar zërat për një kandidim eventual për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2016.

“Jam shumë e lumtur që e provova këtë gjë në të kaluarën. Tani dua të tërhiqem dhe të shoh se çfarë tjetër mund të bëj për të kontribuar në jetën publike”, ka thënë Clinton.

Deklaratën e saj shefja në ikje e diplomacisë amerikane e ka bërë në një bisedë me gazetaren Barbara Walters të kanalit informativ amerikan ABC News.

Më herët gjatë muajit, një sondazh i Langer Research Associates, i bërë për pikërisht për ABC News dhe Washington Post, tregonte se shumica e amerikanëve do të donin që Clinton të kandidonte për presidente në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas të dhënave të anketës, 57 për qind e amerikanëve do ta mbështesnin Clinton në garën presidenciale dhe vetëm 37 për qind do të kundërshtonin kandidimin e saj.

Në favor të Hillary ishin shprehur 66 për qind e grave dhe 49 për qind e burrave. Sipas anketës, 68 për qind aprovonin gjithashtu punën e saj në drejtimin e Departamentit të Shtetit.

Top Channel