Britani, vizat për studentët

12/12/2012 22:50

Ministrja e Brendshme britanike, Theresa May, ka njoftuar se nga prilli i ardhshëm rreth 100 mijë studentë të huaj, që studiojnë në Britani, do të intervistohen nga stafi konsullor në ambasadat britanike nëpër botë, kur të aplikojnë për marrjen e vizave të studentëve.

Më parë, viza jepej duke bërë verifikimin e dokumentacionit të paraqitur, çka ka çuar në shtimin e abuzimit me to, si një mundësi për të qëndruar dhe t’u punësuar në Britani.

Ministrja e Brendshme tha se po përpiqet të vendosë një ekuilibër të shëndetshëm, mes inkurajimit të tregut ndjellës në arsimin e lartë britanik dhe garantimit që vizat nuk përdoren si alternativë për të punuar në Britani.

Ajo shtoi se “nëse flet anglisht dhe siguron një vend për kursin e duhur universitar, gjithkush mund të vijë në Britani dhe shtoi se nuk ka plane për vendosjen e një kufiri tavan për dhënien e vizave”.

Nuk ka të dhëna për ndonjë abuzim nga studentët shqiptarë, të shumtë në numër, që studiojnë nëpër universitetet dhe kolegjet britanike, të njohura për nivelin e lartë akademik.

Ky njoftim përbën një ndryshim të madh në sistemin britanik të emigracionit. Sipas shifrave zyrtare, kërkesat për azil kanë rënë vitin e kaluar, ndërkohë që vihet re një rritje e konsiderueshme e numrit të shqiptarëve nën moshë, që vazhdojnë të kërkojnë azil në Britani, kryesisht për gjakmarrje, si dhe e grave e vajzave, që pretendojnë se janë trafikuar për qëllim prostitucioni.

Top Channel