Akuzat e Berlusconi-t, reagon Monti

12/12/2012 00:00

Kryeministri italian, me mbështetjen e Berlinit, u është kundërpërgjigjur akuzave të forta adresuara kundër tij nga paraardhësi, Silvio Berlusconi.

“Duhet të tregohemi të duruar dhe të mos nxitohemi kur të flasim për reforma joefikase. Të mos i thjeshtëzojmë gjërat, sepse nuk janë të tilla. Qeveria e mëparshme ka ndërmarrë reforma, këtë nuk e mohon dot askush, por ato reforma linin shumë për të dëshiruar”, deklaroi Monti në një takim me biznesmenët italianë të prodhimit të automjeteve në Romë.

Deklarata e tij u komentua nga mediat italiane si një kundërpërgjigje ndaj akuzave të Berlusconi-t, i cili një ditë më parë tha se Monti po punon për llogari të Gjermanisë dhe se kriza në Itali nuk ekzistonte. “Ajo është shpikur për interesa të caktuara”, tha Kavaljeri.

Në mbrojtje të Montit ka dalë menjëherë Berlini zyrtar. Ministri i Jashtëm gjerman i cilësoi deklaratat e Berlusconi-t si elektorale dhe shtoi se Gjermania nuk do të lejojë kurrë të shndërrohet në objekt të një fushate të tillë.

Një ditë pas reagimit të Westerwelle-s, ka qenë Ministri i Financave të kabinetit Merkel. Volfgang Schauble mbrojti reformat e qeverisë Monti duke thënë se ato rivendosën Italinë në rrugën e duhur duke rritur besimin e investitorëve ndërkombëtarë.

Berlusconi pas vendimit për të kandiduar për herë të katër për postin e kryeministrit, është vendosur në qendër të kritikave të mediave botërore. New York Times, në një artikull të gjatë analizues, thotë se ish-kryeministri italian është “një oportunist i pandreqshëm” që po përpiqet të përfitojë nga kriza financiare që ka përfshirë vendin e tij.

Top Channel