Tryezë e rrumbullakët qeveri-donatorë

11/12/2012 00:00

Është mbajtur paraditen e së martës në Tiranë një tryezë e rrumbullakët mes përfaqësuesve të qeverisë dhe donatorëve të ndryshëm.

I pranishëm në këtë eveniment, ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka falenderuar donatorët, në veçanti Austrinë, që në vitet e fundit ka dalë edhe si vendi që ka bërë më shumë investime në Shqipëri.

Gjithashtu, Pollo ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, si dhe atë të Bankës Botërore, që sipas tij ka dyfishuar financimet për Shqipërinë.

Fondi për zhvillimin rajonal ka qenë një tjetër element i prekur nga ministri Pollo, për të cilin ai ka thënë se ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por për tërë Ballkanin.

Më tej në fjalën e tij ministri i Inovacionit ka bërë të ditur se ditën e enjte do të publikohen të dhënat e Censusit, një proçes ky shumë i rëndësishëm e që sipas tij tregon gjendjen reale të punësimit në vend.

Ndërkohë, i pranishëm në këtë konferencë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i ka bërë thirrje qeverisë që të jetë më transparente dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët, ka thënë ai, dëshirojnë të jenë evropianë të vërtetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB