Kriza politike në Itali, Monti jep garanci

11/12/2012 01:35

Ndodhi ajo që pritej. Tregjet financiare reaguan negativisht, pas krizës politike të krijuar në Itali, pas lajmërimit për dorëheqje të kryeministrit Mario Monti dhe rifutjes në garë të Silvio Berlusconi-t.

Gjatë një konference për shtyp në Oslo, kryeministri Mario Monti deklaroi se “nuk duhen dramatizuar reagimet e tregjeve, të cilave u kujtoi se qeveria e kryesuar prej tij është ende plotësisht në pushtet dhe se do të mbetet në këtë pozicion, deri sa të bëjë dorëzimet te qeveria e re”.

Tani për tani mendohet se zgjedhjet do të zhvillohen më 17 ose më 24 shkurt të vitit të ardhshëm. Kryeministri shtoi se “ka besim, që zgjedhjet do të çojnë në një koalicion dhe në një qeveri shumë të përgjegjshme ndaj angazhimeve europiane”.

Ndërkohë Mario Monti, i cili u shpreh se nuk po mendon tani për tani për mundësinë e kandidimit, u mundua të qetësojë edhe partnerët ekonomikë të Italisë.

Ditën e mërkurë fillon vizita në New York e ministrit të Ekonomisë, Vittorio Grilli, i cili ka synim të qetësojë tregjet, por edhe të takojë investuesit e mëdhenj, përveç se konsulentët ekonimikë të presidentit Barack Obama.

Nga ana tjetër, Silvio Berlusconi nuk ndalet më. Ai deklaroi se reagimet ndërkombëtare janë ofensive, jo vetëm ndaj tij personalisht, por ndaj lirisë së italianëve për të zgjedhur.

Ish-kryeministri akuzon se qëllimi është dobësimi i ndërmarrjeve italiane, të cilat kështu mund të bëhen prè më e lehtë për blerësit e huaj.

Top Channel