Bora e parë ka rënë edhe për këtë vit në Shqipëri. Majat e maleve janë mbuluar, çatitë e shtëpive kanë vënë një shtresë të lehtë bardhësie. Të mësuar me problemet që sjell kjo stinë, vendasit nxitojnë për të mbledhur gjërat e fundit të domosdoshme për t’i bërë ballë një dimri të ftohtë e të ashpër.

Njerëzit e vendeve të ulta, ku bora bie një herë në disa vite, shpesh nuk e kuptojnë rrezikun që ajo mund të sjellë. Por banorët e fshatit Rabdisht të Peshkopisë prej kohësh kanë filluar përgatitjet për stinën e dimrit. Ditët e këqia që kanë kaluar një vit më parë kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e tyre.

“Kemi qenë 2 muaj të izoluar, kemi hequr keq vjet. Nuk dilte as kafsha nga i ftohti. Kam pasur djalin me 40 temperaturë dhe për pak më vdiq në dorë”, shprehet një banor i zonës.

Malvina është nusja e shtëpisë. Ajo është angazhuar që problemet e vitit të kaluar të mos përsëriten më: “Vjet kam qenë shtatzënë dhe kam pasur shumë vështirësi, por vështirësitë e vitit të kaluar na kanë nxitur dhe më shumë për t’u përgatitur për dimrin e radhës.”

Baza ushqimore është thelbësore gjatë kohës kur fshati izolohet, kështu që e gjithë familja është angazhuar për krijimin e rezervave dimërore.

“Kemi groshë, domate, speca, gjizë… Gjithashtu kemi blerë 20 thasë miell dhe oriz.” Kështu tregon Medati, kryefamiljari i derës së Ismailajve. E megjithatë ata prapë nuk janë të sigurt nëse do ia dalin mbanë, janë 8 veta për të ushqyer.

Kimetja thotë se duhet të përgatiten edhe për bagëtinë. Në rast se ngelin keq, gjëja e gjallë është e vetmja rrugë për mbijetesë. Këtë sektor e mbulon Reshati, djali i shtëpisë.

“Për bagëtinë kemi marrë shumë masa sepse bie shumë borë dhe nuk vjen askush për të zhbllokuar rrugët. Kemi marrë jonxhë, bar dhe misër që të ushqehen gjatë dimrit”, thotë Reshati.

Megjithatë, iu ka rastisur të mbeten edhe në vështirësi: “Kur ngelim keq, shkëmbejmë me njerëzit në fshat. Ndihmojmë njëri-tjetrin.”
 
Janë ditët e para të dhjetorit dhe ngricat kanë filluar, por njerëzit e Rabdishtit ende vazhdojnë të shpresojnë: “Po i lutemi Zotit që të mbajë moti të paktën deri në datën 25, të punojmë edhe ca ditë para Vitit të Ri.”

Janë përgatitur për gjithçka kanë mundur dhe besojnë se ky vit nuk do t’u rezervojë ndonjë surprizë të pakëndshme.

Peripecitë e shtatzënisë së Meleqe Demirit

Në fshatin Menesht të komunës Zall-Dardhë, në shkurt të 2011-ës Meleqe Demiri ishte shtatzënë dhe në rrezik dështimi.

Sot, një vit më pas ajo tregon vetë gjendjen e vështirë që ka kaluar.

“Isha shtatzënë, ishte dimër, trashësia e dëborës ishte 1.5 metra. Mamia erdhi nga një fshat larg dhe më ndihmoi me gjilpëra që të qetësohesha. Unë kisha fëmijën e parë, jemi nisur me helikopter saqë nuk kam kuptuar asgjë sesi kam arritur në Tiranë. Pas 10 ditësh e kam lindur fëmijën me operacion. E kam lindur shtatanik, shumë i vogël.”

I gjendur në vështirësi, bashkëshorti i Meleqes, Elez Demiri, tregon se pasi bashkëshortes së tij i filluan dhimbjet, telefonoi maminë dhe u nis në këmbë drejt fshatit ku ajo banonte.

“U nisa drejt fshatit të mamisë duke çarë trashësinë e dëborës që ishte rreth 1.5 metra dhe rruga për të vajtur atje tek fshati i mamisë më shkoi rreth 4 orë. Mamia e fshatit filloi që t’i shërbente me injeksione. U lajmërua helikopteri dhe shkuam në spital në Tiranë.”

Ndërkohë Lirie Kaca tregon për telefonatën e orëve të vona në atë ditë dimri: “Sapo kam arritur në shtëpi, gruaja po përpiqej me dhimbje të rënda. Kishte pasur pak hemorragji, unë i bëra serumet, i dhashë ndihmën e shpejtë me papaverinë. Unë kisha shpresa se gruaja do të qetësohej, mirëpo ajo nuk pati asnjë përmirësim.”

Distanca e rrugës automobilistike nga fshati Menesh është rreth 2-3 orë pa rreshje dëbore. Duke e parë që edhe gjatë natës nuk pati ndonjë përmirësim u vunë në lëvizje të gjitha instancat për t’i ardhur në ndihmë të resë 22-vjeçare. Doktori pranë komunës Zall-Dardhë, Artan Murati thotë se në kohë dimri, banorët shpesh gjenden në situata të vështira.

“Është një komunë shumë e thellë malore. Fshatrat janë në vështirësi si në aspektin gjeografik dhe në aspektin ekonomik.”

Patën shumë vështirësi, por fatmirësisht, sot nëna dhe fëmija gëzojnë shëndet të plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA