Dita e fillimit të zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar është dita de jure dhe de fakto e pamjes së kufirit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën pasdite, sipas të cilit fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje është një lajm i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin.

“Sot është një lajm i mirë për Republikën e Kosovës, por edhe për gjithë rajonin sepse ka filluar të zbatohet edhe në praktikë IBM-ja, që është dita definitivisht edhe de jure edhe de fakto e pamjes së kufirit mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka deklaruar Thaçi.

“Është një standart evropian që është në përputhshmëri të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Edhe në dy pikat e tjera doganore do të fillojë me datën 31, ndërsa do të vazhdohet me angazhimet dhe përkushtimet e tjera”, ka vijuar ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për takimin e tretë në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.

Më 12 dhjetor Thaçi do të paraqesë para deputetëve konkluzionet e këtij takimi të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton.

Kështu është vendosur gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën. Në po të njëjtën ditë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të mbajë fjalimin vjetor në Kuvend.

Top Channel