Mandela, infeksion në mushkëri

10/12/2012 00:00

Presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela po
mjekohet në spital për një infeksion në mushkëri, ka njoftuar zyra e
presidencës afrikano-jugore.

Kjo është hera e parë që zyrtarët bëjnë publik motivin e vërtetë përse Mandela, 94 vjeç, u shtrua në një spital ushtarak në kryeqytetin Pretoria ditën e shtunë.

Testet tregonin një rishfaqje të një infeksioni të mëparshëm në mushkëri, ka bërë të ditur zëdhënësi i presidencës, Mac Maharaj, sipas të cilit, ish-presidenti po i përgjigjet trajtimit.

Zoti Mandela njihet në vendin e tij dhe në të gjithë botën për betejën e tij kundër regjimit të bardhë në pakicë, para se të fitonte zgjedhjet e para demokratike të vendit në vitin 1994.

Pavarësisht se u burgos për 27 vjet nga qeveria e aparteidit, pas lirimit ai i fali armiqtë e tij të vjetër dhe i bëri thirrje popullit afrikano-jugor që të punonte i bashkuar, pavarësisht racës.

Ai u vlerësua me çmimin Nobël për Paqen në vitin 1993. Hera e fundit që u shtrua në spital ishte në shkurt, kur u trajtua për një problem në bark. Ndërsa në janar të vitit 2011 u trajtua për një infeksion serioz në gjoks.

Top Channel