“Different trains” mbush TOB-in

10/12/2012 00:00

Festivali  “Different trains” ka mbushur si asnjëherë tjetër sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë pasditen e së dielës, duke rikthyer edhe njëherë vëmendjen e munguar të publikut për muzikën.

Eventi ka sjellë në Tiranë për një seri koncertesh violinistin e njohur Tedi Papavrami së bashku me disa prej instrumentistëve më të mirë shqiptarë në botë si Vlorent Xhafaj, Klajdi Sahatçi dhe Dorian Xhoxhi.

Repertori i festivalit përmban pjesë nga krijimtaria e disa prej kompozitorëve më në zë si Moxart, Brams, Shostakoviç dhe Bethoven, të ndara në tri pjesë, çdonjëra për secilën mbrëmje koncertore.

Ka pasur një kërkesë të madhe për bileta të cilat janë shitur të gjitha duke lënë jashtë dyerve të koncertit një numër të madh njerëzish që kanë treguar interes për të dëgjuar nga afër muzikantët e mirënjohur.

Instrumentistët shqiptarë janë shoqëruar në këtë nismë nga artistët e huaj  Andrea Rebaudengo, Joaquin Riquelme Garcia dhe François Frederic Guy, të cilët njihen në vendet përkatëse, por edhe më gjërë, për karrierën e tyre të suksesshme.

Mbrëmja e tretë dhe e fundit e ansamblit të Muzikës së Dhomës do të jetë pasditen e datës 10 Dhjetor në mjediset e Universitetit të Arteve në Tiranë.

Nisma e katër muzikantëve me famë botërore është mbështetur edhe nga Top Channel e Digitalb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA