Ndërsa ka pak ditë, që kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligjin për avokatinë, më interesanti prej shtesave në këtë ligj është ai i përfaqësimit nga avokatët, në secilën prej shkallëve të gjyqësorit, sipas kualifikimit që ata kanë.
Çka do të thotë, që në janar 2013 e në vijim nuk do të ketë vetëm një liçencë avokati, por dy liçenca, sipas eksperiencës dhe kritereve, që do të vendosen nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Gjatë një interviste, dhënë për Top Channel, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, Virgjil Karaj, jep detaje të kësaj risie.
“Do të jenë dy liçenca, njëra për shkallën e parë dhe të dytë, tjetra për shkallët e tjera të gjyqësorit”, tha Karaj.
Referuar shqetësimit, që i adresohet komunitetit të avokatisë nga gjykatat, sidomos për gjykime të bujshme kur avokatët mungojnë dhe proçeset zvarriten, zoti Karaj thotë se gjykatat, nëse do t’i referoheshin ligjit proçedurial, aty thuhet se dorëheqja pranohet vetëm pasi mbrojtësi kryesor zëvendësohet dhe gjykimi nuk ndërpritet.
Hyrja në fuqi e ligjit pritet të ketë sanksione deri në heqje liçence edhe për rastet, kur vetë klientët ankohen në Komisionin e Disiplinës se janë dëmtuar, duke mos u përfaqësuar efektivisht nga avokati i tyre.
Top Channel