Metallica “kapitullon” përballë internetit

08/12/2012 00:00

Kur dëgjimi dhe shkarkimi i muzikës online ishte në hapat e para, ata u rreshtuan në llogoren përballë, të vendosur kundër kësaj risie.

Në vitin 2000, Metallica nisën një betejë të ashpër ligjore me Napster, e para nismë e dëgjimit dhe shkarkimit të muzikës në internet. Banda muzikore kërkoi nga shoqëria e sapoformuar 10 milion dollarë dëmshpërblim për shkelje të të drejtave të autorit.

Një vit më vonë, Napster u mbyll dhe Metallica fitoi betejën e parë me teknologjinë…por jo luftën. Katër legjendarët e metalit, sado të famshëm për tingujt e tyre, nuk mund të përballonin fuqinë e internetit dhe 12 vite më vonë, të vetëdijshëm për këtë fakt, “dorëzojnë armët” pikërisht tek themeluesi i Napster, Sean Parker, sot anëtar në këshillin administrativ të “Spotify” që ofron online muzikën për dëgjim dhe shkarkim.

Banda muzikore njoftoi marrëveshjen me “Spotify” duke sqaruar më pas se e gjithë kjo armiqësi 12-vjeçare me internetin bëhej për shkak se kërkonte që muzika e tyre të ofrohej në cilësinë maksimale. Por ka nga ata që nuk e besuan kurrë këtë argumentim duke i etiketuar “si pleq të 10-vjeçarëve të kaluar të sëmurë pas parasë”.

Kapitullimi i “Metallica” në luftën me internetin është një lajm i mirë për të gjithë fansat  e bandës, të cilët mund të dëgjojnë nga shtëpia hitet e tyre, që nga legjendarja “Kill ‘Em All” e deri tek këngët e viteve 2000.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA