Irlanda Veriut, 8 oficerë policie të plagosur

08/12/2012 02:10

Trazirat nisën në Belfast, ku turma që ishte duke bllokuar rrugën, sulmoi një kamion, pasi shoferi tentoi ta ngiste atë drejt bllokadës së luajalistëve.

Policia bëri të ditur se pati edhe përpjekje për të rrëmbyer kamionin. Zyrtarë të lartë kanë apeluar ndaj luajalistëve, që mund të planifikojnë protesta të tjera në qendër të Belfastit, të mos e përsërisin më këtë veprim.

“Ne duam t’i nxisim ata që morën pjesë në protesta, gjë që e kanë të drejtë legjitime, të bëjnë një hap prapa dhe të qëndrojnë larg qendrës së qytetit ditën e nesërme. Rreziku ndaj sigurisë publike të pjesëmarrësve në protesta është jashtëzakonisht i madh”, tha ndihmës-shefi i policisë, Will Kerr.

Gjatë trazirave të së premtes, u hodhën disa predha në drejtim të forcave të policisë dhe makinave Land Rover të tyre, në sheshin Shaftsbury të qytetit.

Tulla dhe predha të tjera u hodhën gjithashtu ndaj policisë në rrugën O’Neill, në Newtownabbey, në periferi të Belfastit.

Policia bëri të ditur se rreth 50 njerëz ishin të pranishëm në shesh. Ka patur gjithashtu probleme edhe në Bashkinë Mossley Mill, në Newtownabbey, ku 600 persona janë pjesë e funksioneve lokale.

Top Channel