Mbase keni dëgjuar për kafenë e shtrenjtë arabike, por ka një kafe tjetër që është më e shtrenjta në botë dhe që prodhohet nga jashtëqitjet e elefantëve. Mendimi se kokrrat e kafesë kalojnë nëpër aparatin tretës të një kafshe mund të mos jetë shumë tërheqës, por është pikërisht ky “itinerar” që i jep atyre shijen e veçantë.
Kjo kafe bëhet në Tajlandë pasi elefantët kanë ngrënë dhe tretur kokrrat. Janë pikërisht zorrët ato që japin shijen e rrallë dhe që praktikisht rrisin çmimin.
Punëtorët mbledhin jashtëqitjet e kafshëve të mëdha dhe gjejnë kokrrat e vlefshme të kafesë. Një kilogramë nga këto kokrra që shumë njerëzve mund tu duken të shpifura kushton 1 mijë e 100 dollarë.
Kjo kafe mund të provohet vetëm nga pasanikët që mund t’i lejojnë vetes qëndrimin në disa nga hotelet më luksoze në Tajlandë, Abu Dabi dhe Maldive. Një filxhan kushton 50 dollarë.
Krijuesi i kafesë, Blake Dinkin, thotë për ‘Daily Mail’: “Kur një elefant ha kafe, acidi i tij i stomakut heq proteinat që gjenden në kokrrat e kafesë, të cilat janë ato që i japin hidhësinë. Nga kjo del një kafe pa atë shijen e hidhur që e gjen kudo.”
“Gjithashtu një elefant ha edhe banane, kallama sheqeri e shumë gjëra të tjera. Gjatë tretjes, kafja merr edhe shije frutash”, shton krijuesi kanadez i kafes më të shtrenjtë në botë.
Top Channel