Personazhet publike shqiptare mbase nuk mund të krahasohen në fitime me kolegët e tyre përtej detit, mirëpo disa hile nga kolegët edhe këta tanët po i mësojnë.
Prej kohësh tashmë, yjet tona të ekraneve apo skenave modeste nuk po mjaftohen vetëm me shijimin e parave që përfitojnë nga aftësitë për të cilat i njohim të gjithë. Ata kanë gjetur mënyra të ndryshme për të investuar paratë e tyre dhe sidomos po të kemi parasysh faktin se kanë një ndihmë të madhe nga popullariteti i tyre individual.
Elton Deda para se të largohej nga Shqipëria la pas krahëve një pub që për kohën ishte shumë i përfolur. Edhe nëse nuk ke kthyer ndonjë gotë aty apo të kesh dëgjuar “Tre Musketierët” duke kënduar, sidoqoftë do të kesh dëgjuar për lokalin me “rock” të mirë. Tashmë trajneri i ‘The Voice of Albania’, përveç se iu rikthye Shqipërisë e muzikës, duket se i është rikthyer edhe sipërmarrjeve private. Lokali i tij, domosdoshmërisht me muzikë të mirë është prej pak javësh një nga destinacionet më të reja të fundjavës.
Jonida Maliqi nga jashtë të jep përshtypjen e dikujt që ka kënduar gjithmonë për qejfin e saj. Krahas muzikës e njohur gjithashtu edhe për “look”-un duket se gjithë ajo vëmendje mediatike rreth veshjes i ka dhënë një ide të mirë për biznes. Prej kohësh ajo ka një ambient me veshje. Gjëra ekskluzive ashtu siç i pëlqejnë asaj. Sigurisht imazhi i Jonidës ka qenë një publicitet jashtëzakonisht i mirë për sipërmarrjen e saj dhe prej kohësh ajo shijon frytet.
Flori Mumajesi, përveçse autor i shumë këngëve të tij të suksesshme, është edhe prodhues për shumë artistë të tjerë. Ajo punë që dikur bëhej me pagesa sporadike tashmë është kthyer në angazhimin kryesor të djaloshit të njohur. Kompania e tij e prodhimeve, përveçse menaxhon shumë artistë të skenës sonë, prodhon edhe produktet e tyre plotësisht. Dikur Flori u përfshi në biznesin e veshjeve, por duket se muzikën e njihte më mirë.
Ciljeta Xhilaga mund të ngjallë reagime të përziera, por këngëtarja është e vetëdijshme për faktin se ka dhe ajo ndjekësit e vet. Të apasionuarat pas Ciljetës mund të jenë joshur nga një dyqan veshjesh që kjo e fundit ka hapur. Sigurisht nuk kemi arritur ende tek faza ku VIP-at shqiptarë të prodhojnë veshjet e tyre, por të paktën Ciljeta i ka zgjedhur ato që shet sipas shijes së saj.
Linda Halimi ka hapur një nga bizneset më interesante sigurisht e nisur nga përvoja e vet personale. Këngëtarja ish-obeze pasi humbi disa kilogramë vendosi që këtë gjë duhet ta bënte dhe me të tjerët. Të paktën tani që ka një qendër dobësimi të vetën nuk ka më frikë nëse e tepron me kërnackat.
Renis Gjoka është një tjetër këngëtar në listën e sipërmarrësve. Pub-i i tij shijon përveçse birrën edhe performancat e këtij të fundit. Edhe pse i ri në moshë nuk humbi kohë që të shpenzonte të ardhurat e koncerteve lart e poshtë. Bravo Renis!
Bizneset e VIP-ave ndërkombëtarë
Yjet ndërkombëtarë prej dekadash janë ndër njerëzit shumë të pasur. Shitje albumesh, koncerte, reklama etj. VIP-at e botës mund të bëjnë para’ në 1 milion mënyra e megjithatë shumë prej tyre janë të njohur për shpenzime marramendëse dhe për falimentime brutale.
Shumë të tjerë, përveçse artistë të talentuar, janë edhe biznesmenë të zgjuar që të ardhurat e tyre dhe imazhin që kanë e shfrytëzojnë në të mirë të bizneseve të themeluara prej atyre vetë. Madje ata merren përgjithësisht me biznese në fushat ku ata kanë talent, si kompani muzikore, linja veshjesh etj.
Aktorët dhe këngëtarët janë në garë se kush fiton më shumë para’ e kush i investon më mirë ato. Ben Aflek, Nikolas Kejxh, Vin Dizel, Bred Pit e një lumë yjesh të Hollivudit kanë të gjithë kompani prodhimi për filma.
Eminem, Jay-Z dhe Leni Krevic kanë shtëpi diskografike jo rrallë herë të suksesshme. Britni Spirs ka në zotërim të drejtpërdrejtë të paktën 7 kompani në një fushë të gjerë interesash. Me gjithë problemet e herëpashershme nuk mund të thuash që do të vuajë varfërinë ndonjëherë.
Djali i keq i muzikës Puff Daddy ka një shkollë private, një restorant, një linjë veshjesh, një shtëpi diskografike dhe një markë parfumi që e prodhon vetë.
Sikur të mos mjaftonte suksesi i saj si këngëtare, Guen Stefani fiton 90 milionë dollarë në vit vetëm nga linja e saj e veshjeve.
Si për ta mbyllur me grusht të hekurt, boksieri i njohur Evander Hollifilld mund të ketë marrë shumë goditje në ring, mund të ketë lënë veshin në përballjen e famshme me Majk Tajson, por asgjë nuk i ka prekur trurin. Dy kompanitë e tij e rendisin mes biznesmenëve të zgjuar e të suksesshëm.
Top Channel