Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, e ka mirëpritur iniciativën e kryeministrit Sali Berisha për pajisjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, me nënshtetësinë e Shqipërisë.

”Është një nismë e mirë dhe e drejtë”, komentoi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së. “Është e drejtë e kryeministri shqiptar, i cili do t’i bindë të gjithë dhe e ka arritur ketë rezultat, që secili shqiptar pavarësisht ku jeton, në Velesh apo Tuz, të ndihet pjesë e kombit shqiptar. Kjo është një politikë shumë e drejtë sipas meje”.
Partia tjetër shqiptare në opozitë RDK, vlerëson se iniciativa e Berishës është e vonuar. “Është një vendim i vonuar, duke u nisur nga fakti se shqiptarët e meritojnë këtë sepse kanë dhënë një kontribut të madh në krijimin e shtetit shqiptar dhe në zhvillimin e tij. Nënshtetësia shqiptare do të jetë një siguri shtesë edhe për shqiptarët e Maqedonisë, pasi Shqipëria është një vend anëtare e NATO-s dhe ky vendim do të jetë edhe një kontribut për shqiptarët e bashkuar në Europën e bashkuar”, komentoi Izet Zeqiri, deputeti i RDK-së.

Nga partia e Ali Ahmetit, ditën e mërkurë nuk kanë komentuar deklaratën e kryeministrit Berisha për pajisjen e gjithë shqiptarevë me shtetësi të Shqipërisë.

Top Channel