Flamuri i Isa Boletinit shkon në Shkup. Nipi i këtij patrioti Gazmend
Boletini, me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar,
zgjodhi Muzeun e Lirisë në Shkup për t’ia dhuruar flamurin me të cilin
Isa Boletini 100 vite më parë luftoi për çlirimin e trojeve shqiptare.

“Ky është flamuri i Isa Beletinit që do të shikoni për herë të parë. Është ngritur për herë të parë në Kodrën e Visekovcit dhe më 12 gusht 1912 me 30 luftëtarë ka hyrë në Shkup për këtë flamur dhe me të njejtin flamur ka hyrë në Vlorë me 400 kalorësit e tij në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai sot do të jetë i përjetshëm në Shkupin e shqiptarëve’, u shpreh Gazmend Boletini, nipi i Isa Boletinit.

Në Muzeun e Lirisë, të martën kanë qëndruar edhe pinjollët e familjeve tjera patriotike të cilët kanë pasuruar Muzeun duke i dhuruar artefakte të rëndësishme historike.

“Muzeu i lirisë edhe këtë përvjetor jubilar pasurohet me vlera me rëndësi të jashtëzakonshme nga periudha e kaluar e historisë tonë kombëtare. Kisha nderin që pikërisht sot në këtë ditë të pranojë vlera, artefakte të një rëndësie të veçantë të veprimtarëve të cmuar të cështjes tonë kombëtare”, u shpreh Baki Halimi, drejtor i Muzeut të Lirisë.

Në shenjë respekti dhe mikëpritje për pasardhësit e patriotëve shqiptarë, kreu i komunës Çair Izet Mexhiti, organizoi një drekë tradicionale shqiptare në lokalet e Muzeut të Lirisë në Shkup.

Top Channel