Egjipt, përleshje rreth pallatit presidencial

04/12/2012 00:00

Mijëra egjiptianë që kundërshtojnë presidentin Mohamed Morsi për projekt-kushtetutën e propozuar prej tij, por edhe për dekretin që i jep kompetenca të zgjerura, u mblodhën para pallatit presidencial në Kajro.

BBC raporton për përleshje të ashpra mes manifestuesve dhe forcave të shumta të policisë që kishin rrethuar godinën presidenciale. Protestuesit hodhën gurë, bomba molotov dhe sende të tjera të forta në drejtim të policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës, ujë-hedhës dhe shkopinj gome.

Autoritetet e shëndetësisë raportojnë për mbi 50 të plagosur, pjesa më e madhe e të cilëve në demostratën e organizuar në pallatin mbretëror, ndërsa pjesa tjetër nga përleshjet në zona të ndryshme të Kajros.

Në momentin e ashpërsimit të protestës, mësohet se presidenti Morsi ndodhej jashtë godinës presidenciale, në takime me zyrtarë të lartë të pushtetit për t’u konsultuar mbi projekt-kushtetutën e re dhe referendumin që do të mbahet më 15 dhjetor.

Protestave disa-ditore të opozitës iu bashkuan edhe mediat. Të martën, shtypi i shkruar nisi grevën 48-ditorëshe, ndërsa televizionet paralajmëruan shkëputjen e sinjalit ditën e mërkurë. Gazetarët kundërshtojnë nenin 48 të projekt-kushtetutës, pasi sipas tyre, në përshkrimin e këtij neni, lihet hapësirë për abuzim dhe nxjerrjen e ligjeve të mëvonshme kundër lirisë së shprehjes.

Top Channel