D&G, stilistët e famshëm në gjyq

04/12/2012 01:40

Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë, edhe të pushtetshmit edhe të famshmit. Dy prej zërave më të fuqishëm të modës italiane, Domenico Ddolce dhe Stefano Gabbana po e provojnë këtë në kurrizin e tyre.

Një proces gjyqësor është ngritur ndaj stilistëve në kryeqendrën financiare të Italisë, Milano, me akuzën e evazionit fiskal. Sipas aktpadisë, secili pre tyre i detyrohet shtetit italian 416 milionë euro taksa të papaguara.

Prokurorët pretendojnë se, pasi u zhvendosën në Luksemburg në 2004-tën, stilistët ia shitën firmat e tyre një kompanie tjetër, me një çmim shumë më të ulët se vlera e tregut, në mënyrë që të shmangnin detyrimet tatimore.

Hetimet mbi aferën e taksave të krijuesve të markës së njohur të modës “D&G” nisën në 2007-tën. Prillin e vitit të kaluar, dyshja e stilistëve fitoi gjyqin fillestar, por më vonë Gjykata e Lartë e Italisë e përmbysi vendimin dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes.

Italia njihet si një nga vendet me nivelin më të lartë në botë të taksave mbi koorporatat, por edhe të evazionit fiskal. Kryeministri Mario Monti e ka kthyer luftën ndaj evazionit fiskal në një prioritet kombëtar dhe kohët e fundit ka pasur një seri bastisjesh policore të profilit të lartë, me shënjestër pasanikë të akuzuar se nuk paguajnë taksat.

Në vitin 2000, tenori Lucciano Pavarotti pagoi mbi 9 milionë euro taksa të pashlyera, pas problemeve 4-vjeçare me autoritetet. Ish ylli argjentinas i futbollit, Diego Maradona, thuhet gjithashtu se ka 38 milionë euro detyrime ndaj autoriteteve italiane për taksa të papaguara. Maradona vazhdon të këmbëngulë se gjërat nuk janë tamam ashtu dhe po përpiqet ta sqarojë situatën e tij.

Top Channel