Siri, SHBA frikë nga armët kimike

03/12/2012 21:30

Shtetet e Bashkuara deklarojnë se druhen se presidenti sirian Bashar al Assad mund të përdorë armë kimike kundër popullit të tij.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney deklaroi se Amerika është e shqetësuar se, një veprim i tillë mund të ndërmerret për shkak të rritjes së pakënaqësisë tek regjimi.

Ndërkohë, një zyrtar sirian ka insistuar se kurrë dhe në asnjë rrethanë do të përdoren armë të tilla, gjithmonë nëse ato ekzistojnë.

Ndërsa Kombet e Bashkuara deklarojnë se po tërheqin stafin jo të domosdoshëm ndërkombëtar nga Siria për shkak të rritjes së rrezikut.

Sipas njoftimit të agjencisë së lajmeve të OKB-së, Irin, të paktën 25 nga 100 anëtarë të stafit ndërkombëtar mund të largohen këtë javë.

Ndërsa një mision humanitar për zonat jashtë Damaskut do të ndalojë aktivitetin deri në një kohë të pacaktuar.

“Situata po ndryshon shumë. Atje ka një rrezik në rritje për aktivistët humanitarë si pasojë e të shtënave apo përleshjeve pa dallim mes palëve”, ka deklaruar Sabir Mughal, kryekëshilltar i OKB për Sirinë.

Ndërkohë, rrjeti informativ britanik BBC mëson se edhe vende të Bashkimit Evropian kanë filluar të tërheqin stafin e tyre diplomatik.

Më herët, kompania “Egypt Air” urdhëroi rikthimin e një fluturimi që ishte nisur nga Kajro për në Damask, pavarësisht protestave për një “situatë të keqe sigurie” në aeroport.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme siriane, Jihad Makdissi raportohet të jetë larguar nga vendi, edhe para lajmeve se ai ishte shkarkuar, për shkak të deklaratave që binin ndesh me linjën e qeverisë.

Top Channel