Putin pritet me protesta në Turqi

03/12/2012 23:30

Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Turqi nuk kaloi pa protesta. Dhjetra vetë u mblodhën përpara konsullatës ruse në Stamboll, për të kundërshtuar praninë e shefit të Kremlinit me sllogane kundër tij dhe kritika për politikat ruse në Siri.

“Jemi këtu për të protestuar kundër Putinit që është bashkëpunëtori më i madh i regjimit sirian e që po përpiqet me çdo kusht të përmbysë revolucionin në Siri” tha një protestues.

“Nuk e duam Putinin në Turqi. Ai është vrasës dhe bashkëpunëtor në mizoritë dhe dhunën që kanë ndodhur më parë në Kaukaz e që po ndodhin tani në Siri”, u shpreh një tjetër protestuese.

Konflikti sirian, mbi të cilin dy palët kanë qëndrime të kundërta, ishte një nga temat e bisedimeve që presidenti rus zhvilloi në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, me kreun e ekzekutivit turk, Rexhep Tajip Erdoan.

Pak detaje janë dhënë nga takimi dhe brendia e tij, por ishte parashikuar që vizita e Putinit mund të fokusohej te dallimet e thella të qëndrimeve, që Moska dhe Ankaraja kanë në raport me krizën siriane.

Erdoani e sheh Putinin si faktor kyç në qetësimin e një konflikti që ka marrë me mijëra jetë njerëzish e ka detyruar shumë të tjerë të braktisin shtëpitë e tyre e të kërkojnë strehim në tokën turke.

Moska e kundërshton ndërhyrjen ndërkombëtare në Siri, ndërsa Ankaraja i sheh të kërcënuar kufijtë e saj. Nuk dihet se sa mund t’i zbusë tensionet vizita e Putinit në Turqi, por ajo konsiderohet në vetvete, si tregues i faktit që Rusia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve dypalëshe.

Për Turqinë, nga ana tjetër, Rusia është më shumë se vetëm një treg gjigand dhe furnizues i energjisë. Ankaraja e sheh Moskën si një partner strategjik në rajon. Megjithë mospërputhjet e javëve të fundit, kryeministri Erdoan vazhdon t’i mëshojë idesë se Rusia ka “kyçin” për zgjidhjen e krizës siriane dhe se duhet ndihma e saj për fundin e dhunës në këtë vend.

Top Channel