Ende pa hedhur hapat e parë, ende pa shqiptuar fjalën nënë, u gjend i vetëm. Që në lindje mbeti jetim edhe pse prindërit i kishte gjallë. E braktisën dhe e lanë në mëshirë të fatit.
Pa familje, pa shtëpi dhe pa dashuri. Quhet Erzen Hasani dhe tashmë është 22 vjeç. Që foshnje jetoi në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë, shtëpi e cila u bë familja e tij e vërtetë për vite me rradhë.
Deri në moshën 15-vjeçare, Erzeni nga Lezha jetoi bashkë me të tjerë fëmijë jetimë në atë shtëpi të madhe. Prej shtatë vitesh, ai jeton në një dhomë të vogël, por koncepti i një shtëpie qëndron tepër larg për të.
”Kam kërkuar punë, por kudo nuk ma kanë hapur derën, as bashki as në zyrën e punës, ku më thonë se nuk kam punë. Kam punuar në disa punishte rrobaqepsie, punova sa punova, por më hoqën sepse jam mashkull. Konkretisht më thonë që nuk ka punë për meshkuj, por vetëm për femra”, nis rrëfimin e tij të trishtë Erzeni.
Pavarësisht vështirësive që jeta i vë çdo ditë përballë, ashtu si çdo i ri e moshatar i tij, edhe 22-vjeçari nga Lezha ushqen ëndërra për të ardhmen.
Që në fëmijëri ëndërronte të bëhej rrobaqepës apo stilist siç ai preferon të quhet. Falë kujdesit të psikologes në shtëpinë e fëmijës, Erzeni mundi të studionte në një shkollë profesionale për rrobaqepësi.
”Ëndrra ime është të jem stilist dhe këtë e kam pasur pasion, ashtu siç kam pasur pasion edhe baletin. Megjithatë, kryesorja për mua është të gjej një punë për të jetuar”, shton Hasani.
Të jesh jetim, është e vështire në Tirane, por Erzeni paragjykohet edhe për një fakt tjetër.
”Unë e pranoj që jam gay dhe njerëzit më paragjykojnë shumë keq për stilin që kam. Më shajnë, më ofendojnë me fjalë të rënda e nuk më jepet e drejta që të bëj diçka. Ndonjëherë dua të iki jashtë dhe të fluturoj, ta harroj Shqipërinë. Dua punë, shtëpi, vetëm një jetë normale, asgjë më shumë”, thotë 22-vjeçari.
Edhe pse muaji sapo ka hyrë, Erzeni shprehet se pothuajse ka mbetur pa lekë, pasi me asistencën që mori, pagoi borxhet. Sërish në pikë të hallit. Sërish i duhet të shënojë emrin te lista e borxheve në dyqanet e lagjes…
Top Channel