Java vendimtare për kryeprokurorin

02/12/2012 00:00

Java e parë e dhjetorit pritet të sjellë edhe emrin e prokurorit të ri të përgjithshëm, të paktën nëse i referohesh edhe deklaratave të presidentit Bujar Nishani në emisionin “Top Story” të pak ditëve më parë.

Identikiti i prokurorit të ri të përgjithshëm përcakton se ai nuk duhet të ketë më pak se 10 vite punë në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë që vetë presidenti ka deklaruar se ai nuk do të vijë nga politika. Deri në këto momente është e vështirë të ketë emra konkretë, por janë përfolur disa të tillë se ndodhen mbi tryezën e presidentit si kandidatura të mundshme.

I sigurt deri në këto momente është qëndrimi i Partisë Socialiste i shprehur qartazi edhe pas takimit konsultativ të patur në Presidencë ku kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi theksoi se mandati i prokurores së përgjithshme përfundon në maj dhe se çdo iniciativë tjetër për ta zëvendësuar para kohe përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës.

Socialistët në qëndrimin e tyre bazohen në konsultime me konstitucionalistë, ekspertë dhe raste analoge të përafërta. E megjithatë, kjo nuk do ta pengojë kreun e shtetit Nishani për t’i dhënë Shqipërisë një prokuror të ri të Republikës, ndërkohë që kjo pritet të sjellë edhe një çarje tjetër të fortë mes mazhorancës dhe opozitës.

Ndërkohë, Tiranën do e vizitojë drejtori i zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Para vizitës në Shqipëri, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zoti Mur tha se  “përsa i përket Ina Ramës si Prokurore e Përgjithshme, është e rëndësishme që çdo ndryshim që bëhet për këtë post, të bëhet në mënyrë transparente, të hapur dhe në përputhje me ligjet, në përputhje me mandatin e saj si Prokurore e Përgjithshme. Nëse ajo do të qëndrojë si kryeprokurore apo do të jetë dikush tjetër, është jetike që ky institucion dhe të gjithë ata që punojnë në të, të jenë në gjendje ta kryejnë aktivitetin e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga politika”.

I pyetur a ka Departamenti i Shtetit ndonjë qëndrim lidhur me interpretimin e kohëzgjatjes së mandatit të kryeprokurores Rama, zoti Mur tha: “Ne nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar se sa është ose duhet të jetë mandati. Në disa rrethana zyrtarët qëndrojnë në poste, në disa të tjera mund të largohen më herët, ne nuk përpiqemi të diktojmë rrethanat. Standartet që mbështesim ne dhe që populli shqiptar kërkon janë që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë një post politik, të jetë i pavarur siç duhet të jetë edhe sistemi i gjykatave”.

Top Channel