Tiranë, ekzekutohet 30-vjeçari

01/12/2012 00:00

Pazaret e prishura në tregtinë e drogës kanë provokuar vrasjen e radhës në kryeqytet.  Kjo është pista kryesore e policisë për këtë ekzekutim.

Një person mbeti i vrarë ndërsa një tjetër u plagos në rrugën Irfan Tomnini që njihet ndryshe edhe si stacioni i fundit i Tiranës së re, rreth orës 20:00, mbrëmjen e së shtunës.

Efektivat e policisë së Tiranës të mbërritur në vendngjarje e kanë identifikuar viktimën i cili ishte 30-vjecari  Igli Aliu, ndërsa për personin e plagosur policia thotë se ai është Sokol Andrea, 42 vjec.

Nga informacionet e para mësohet se dinamika e ngjarjes ka qenë shumë e shpejtë. Viktima dhe i plagosuri ishin duke udhëtuar me automjetin tip Mazda.
Mbetet e paqartë për momentin nëse autori vrajses ka hipur në makinë nga ku edhe ka kryer krimin apo ai ka shtënë disa herë në drejtim të tyre nga jashtë automjetit.

Autori tashmë i identifikuar nga blutë e Tiranës, është larguar menjëherë nga vendngjarja, ndoshta i ndihmuar nga persona të tjerë.

Grupi i hetimit për të patur një panoramë të qartë të ngjarjes ka marrë edhe filmimet e disa kamerave të sigurisë të një dyqani celularësh përpara të cilit ndodhi ekzekutimi. Po ashtu mësohet se nga veprimet e para hetimore policia ka mundur të sigurojë dy dëshmi tepër të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes nga dy kalimtarë të cilët momentin e krimit kanë qenë në pritje të autobusit.

Në vendin e ngjarjes ndodhen tre banka që kanë sistem kamerash të cilat u verifikuan nga ana e policisë. Makina e viktimës është sekuestruar nga policia për të vijuar ekspertizën shkencore.

Top Channel