Siri, “brutaliteti” ka shokuar Ban Ki-moon

01/12/2012 04:02

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Ban Ki-moon ka paralajmëruar se numri i refugjatëve mund të rritet deri në 700 mijë në janar.

Më shumë se 80 persona gjetën vdekjen në përplasjet në Siri, të premten, sipas burimeve të aktivistëve.

Shumë fluturime në ardhje apo në ikje nga kryeqyteti Damascus, u anuluan për të dytën ditë radhazi, pasi luftimet u përhapën shumë pranë aeroportit kryesor të vendit. Gjithsesi, stacioni televiziv shtetëror tha se disa fluturime të brendshme janë kryer.

Autostrada për në aeroport u rihap nga trupat qeveritare, pas luftimeve të ashpra, raporton korrespondenti i BBC-së nga Turqia.

Të premten, Ban Ki-moon paralajmëroi Asamblenë në New York, se civilët po masakroheshin pothuajse përditë kudo në Siri. “Shkeljet e të drejtave të njeriut janë duke u kryer në shkallë të gjerë nga të gjithë luftëtarët”, tha ai.

Ai parashikoi se rreth 4 milionë njerëz do të kenë nevojë për ndihma në dimër, për shkak të dhunës akoma e më brutale. Ai tha gjithashtu se “ndërtimi i një Sirie të lirë e demokratike do të kërkojë dialog politik dhe negociata”.

Fjalëve të tij u bëri jehonë i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, i cili u tha të pranishmëve në New York se Siria mund të bëhet një shtet i dështuar, për sa kohë që nuk do të gjehet një zgjidhje e negociuar politikisht për konfliktin.

Vetëm Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund të vendosë një plan paqeje të qëndrueshëm, theksoi ai. Aktivistët thonë se më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë, që nga fillimi i kryengritjes ndaj presidentit Bashar al-Assad, në mars të 2011-s.

Top Channel