Moody’s ul edhe vlerësimin e ESM-së

01/12/2012 03:20

Ky zhvlerësim ndjek atë të përkrahësit kryesor të Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), Francës, në fillim të muajit nëntor.

Moody’s uli gjithashtu vlerësimin e paraardhësit të këtij mekanizmi, Objektit Europian të Stabilitetit Financiar (EFSF).

Drejtori i menaxhimit dhe shefi ekzekutiv i ESM-së dhe EFSF-së, Klaus Regling, e përshkroi vendimin e zhvlerësimit të kësaj agjencie, si “të vështirë për t’u kuptuar”.

Mbështetësi më i madh i këtyre dy skemave, Gjermania, mbetet në nivelet maksimale, i vlerësuar me AAA.

Moody’s bëri të ditur se vendimi i tij për ESM-në, ishte si pasojë e zhvlerësimit të mëparshëm të Francës, pikërisht sepse “reflekton këndvështrimin vlerësues të agjencisë, se ka patur një zvogëlim marxhinal në sigurinë se sovrani do të përmbushë detyrimet e veta financiare”, përfshi këtu angazhimin e tij për mbështetje ndaj ESM-së.

Ky vendim e çon vlerësimin e ri të ESM-së në Aa1, ndërsa EFSF-në në një vlerësim të përkohshëm Aa1, nga ai Aaa.

Në një deklaratë, zoti Regling u shpreh kritik ndaj sjelljes së Moody’s, që “nuk njeh mjaftueshëm kuadrin institucional jashtëzakonisht të fortë të ESM-së, angazhimin politik dhe strukturën e kapitalit”.

Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM) u lançua në tetor si një agjenci e përhershme, e vendosur në Luksemburg. Nga 2014-ta, ai do të ketë deri në 500 miliardë euro për të ndihmuar vendet në vështirësi.

Fondi i shpëtimit është i disponueshëm për 17 vendet e eurozonës, por huatë do të jepen vetëm mbi bazën e kushteve strikte, duke u kërkuar vendeve në telashe të ndërmarrin reforma buxhetore.

Top Channel