Kashmir, orteku “zhduk” të paktën 18 vetë

01/12/2012 04:40

Orteku goditi në luginën malore Neelum, në Kashmirin e administruar nga Pakistani.

Ushtarët ishin duke kërkuar për kolegët e tyre, të goditur më herët nga një tjetër ortek, kur u zunë në befasi nga një tjetër ortek i rënë. Zyrtarë kanë thënë se kërkimet për të humburit janë penguar nga moti i keq, si dhe nga terreni i thepisur i këtij rajoni.

Grupi i shpëtimit kishte gjetur trupat e dy personave, në momentin kur orteku i dytë i goditi në Dana Tajian, rreth 130 km nga qyteti kryesor i Kashmirit (pakistanez), Muzaffarabad. Orteku i së premtes goditi shumë pranë Vijës së Kontrollit nga krahu i Pakistanit, kufiri i kontestuar “de facto” që ndan Kashmirin mes Indisë dhe Pakistanit.

India dhe Pakistani kanë zhvilluar 2 luftra në zonën e Himalajeve, tërësinë territoriale të së cilës e pretendojnë të dyja palët. Këto dy shtete kanë mijëra ushtarë të vendosur në këtë rajon, ku armëpushimi është vendosur që prej vitit 2003.

Zyrtarë thanë se rreshjet e dendura të dëborës mund të kenë shkaktuar ortekët, që janë të zakonshëm në këtë zonë. Në prill, 140 ushtarë të Pakistanit u varrosën, kur një mur i madh prej dëbore u përplas në bazën e largët malore Siachen Glacier. Që prej atëherë, të gjithë ata janë deklaruar të vdekur, edhe pse disa prej trupave të tyre mbeten ende të pagjetur.

Në shkurt, të paktën 16 ushtarë indianë, me detyrë në malet e Kashmirit, u vranë nga 2 orteqe të rëna në kampet e tyre ushtarake.

Top Channel