Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, ishin me dhjetëra mesazhet e urimit të ardhura nga vendet mike dhe pothuajse të gjithë shtetet e tjera në botë.
Pa dyshim, mesazhi i Presidentit Obama, ardhja në Tiranë e Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton dhe urimet zyrtare të Brukselit, ishin midis atyre që fituan më shumë vëmendje mediatike për rëndësinë dhe përmbajtjen e tyre.
Megjithatë, urimet ndaj vendit tonë kanë ardhur edhe nga destinacione të pazakonta e të papritura.
Në listën e vendeve që iu bashkuan “dëshirës për prosperitet” të popullit shqiptar u rendit edhe Korea e Veriut, vendi komunist më i izoluar në botë.
Në një mesazh urimi të publikuar në Agjensinë Koreane të Lajmeve (KCNA), presidenti i Presidiumit të Asamblesë Supreme Popullore të Koresë së Veriut, Kim Yong Nam, përcolli urimet e tij dhe të “liderit të dashur”, Kim Jong-un, ndaj popullit shqiptar.
”I uroj presidentit Nishani sukses në punën e tij, për zhvillimin, begatinë dhe prosperitetin e vendit”, shkruhej në mesazhin e urimit.
Ndonëse vetëm formale, Shqipëria dhe Korea e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike ndërmjet tyre, me vendin tonë që mbulon shtetin komunist nëpërmjet ambasadës sonë në Pekin dhe Penianin që përfaqëson Shqipërinë nëpërmjet ambasadës së ndodhur në Bullgari.
Top Channel